Skip to content
Të Gjitha

Vrasja e Ravik Gurrës/ Solidaritet edhe në Korçë, avokatët në protestë

· 2 min lexim

Pas Elbasanit e Tiranës, edhe avokatët e Korçës solidarizohen me kolegët.

Ata kanë ndërprerë punën për tre ditë si dhe do të protestojnë pas vrasjes së avokatit të njohur Ravik Gurra.

“Vrasja e avokatit Ravik Gurra ka tronditur opinionin publik mbarëshqiptar. Për 3 ditë do të ndërpresim dhënien e shërbimeve. Nuk do të ketë shërbime nga e mërkura deri të premten. Vendimi nuk është i vlefshëm vetëm për seancat ku jepen masat e sigurisë. Për avokatët që do të thyejnë këtë urdhër, do të ketë masa disiplinore”-sqaroi dje Dhoma e Avokatisë.

Ngjarja e rëndë ndodhi pranë një lokali të njohur në qendër të qytetit të Elbasanit rreth orës tetë të darkës të datës 22 mars dhe autori dyshohet se ka qene i maskuar.

Viktima, Gurra, që njihet për mbrojtjen e çështjeve të bujshme si ajo e Çapjave dhe Shullazit, ka qenë i ulur në ambientet e lokalit jashtë kur është qëlluar pas koke.

Ai ishte i shoqëruar me dy persona të tjerë në tavolinë, njëri prej tyre gjithashtu avokat. Autori që e ka qëlluar me pistoletë është larguar me një mjet që është gjetur i djegur në dalje të qytetit të Elbasanit.

Policia ka ngritur postblloqe për kapjen e autorëve dhe zbardhjen e ngjarjes.