Skip to content
Kronikë

Vrasja e Klodian Rashës/ Caktohet trupa gjykuese që do të shqyrtojë çështjen

· 2 min lexim

Është caktuar trupa gjykuese që do të shqyrtojë çështjen ndaj ish-efektivit Nevaldo Hajdaraj, i cili akuzohet për vrasjen e Klodian Rashës. Ngjarja e rëndë ndodhi në orët e para të mëngjesit të 8 dhjetorit të vitit 2020. Mësohet se gjykata e Tiranës, ka hedhur ditën e sotme shortin  dhe seanca e parë do të mbahet më  29 prill në orën 12:30, me kryesuese gjyqtaren Armela Hasantari.

Kjo trupë gjykuese do të vendose nëse do ta pranojë ose jo kërkesën për gjykim të shkurtuar të bërë nga efektivi. Nevaldo Hajdaraj akuzohet për vrasjen me dashje të 25-vjeçarit, pasi ky i fundit kishte shkelur orën policore, e vendosur nga Komiteti Teknik i Ekspertëve  në kuadër të masave anti-COVID.

Kujtojmë se gjatë kontrolleve nga policia pas ngjarjes në atë zonë u gjet edhe një armë zjarri e cila u pretendua se ishte e Klodjan Rashës, por më pas këto pretendime u hodhën poshtë nga Policia, pasi në armë nuk u gjet asnjë shenjë që ta lidhte me viktimën. Kujtojmë se në vend u mbajtën protesta masive të cilat vazhduan për ditë me radhë dhe pati edhe përplasje të dhunshme mes protestuesve dhe policisë, gjithashtu  edhe shoqërime në komisariat.Të shoqëruarit ishin kryesisht të mitur dhe adoleshent të cilët u arrestuan nën akuzën e prishjes së qetësisë  dhe shkatërrim të pronës publike./BW