Në 14 qershor 2018, në një zonë pyjore të Voskopojës, u gjet i varur në një pemë 18-vjeçari Antonio Karafili.
Personi i fundit që e pa të gjallë ishte e dashura e tij, Kejsi Spahillari, e cila në atë kohë ishte vetëm 17 vjeç. Pas hetimeve të zhvilluara, Gjykata e Korçës ka vendosur masën e sigurisë “arrest me burg” ndaj saj, me kërkesë të Prokurorisë.
Sipas dëshmisë që Kejsi dha asokohe, ajo dhe Antonio ishin takuar atë ditë rreth orës 17:00 me xhaxhain dhe kushëririn e saj, për të sqaruar një konflikt të mëparshëm mes tyre dhe Antonios.
Debati u zgjidh, dhe çifti u largua drejt Voskopojës, në lokalin e prindërve të Antonios. Por situata mes tyre u përkeqësua sërish Kejsi tregoi se Antonio shfaqi shenja xhelozie, duke e akuzuar se kishte një lidhje tjetër.
Kjo solli një përçarje mes tyre dhe rreth orës 20:00, Kejsi u largua bashkë me nënën e Antonios dhe vëllain e tij.
“Me Antonion kemi pasur lidhje dashurie prej 2 vjetësh dhe familjet tona ishin në dijeni. Atë ditë rreth orës 17:00 jemi takuar me xhaxhain tim dhe djalin e tij të vogël përballë një lokali për të sqaruar një sherr midis xhaxhait tim dhe Antonios. Më pas shkuam sërish në Voskopojë dhe ndaluam tek lokali i prindërve të Antonios, taverna “Mishel”. Antonio doli nga makina u ul në një gurë dhe ishte i stresuar e i nervozuar. Ai dyshonte se unë kisha një lidhje të dytë për këtë dhe debatuam. I thashë hajde ikim për në Korçë, por më tha ik ti se unë do të rri këtej. Në qoftë se ka policë në rrugë më merr Misheli në telefon. Mbaj mend se më dha disa sende personale të Antonios, vëllait të tij Mikelit. U takova me vëllain e tij në Korçë tek Shën Mëria dhe morëm Mozën, mamanë e Antonios.
U ngjitëm për në Korçë”, ka dëshmuar ajo.
Trupi i pajetë i të riut u gjet më pas në një pishë, dhe sipas nënës së viktimës, Mimoza Karafili, pikërisht Kejsi ishte ajo që e njoftoi për ngjarjen tragjike.
Ajo ka qenë gjithmonë e bindur se djali i saj nuk kishte asnjë arsye për të kryer vetëvrasje.
“Isha në dijeni që kishte një vajzë. Më merr në telefon, më thotë dua Mikelin të marr Mikelin se ka ngelur andej. Po pse vajtët në Voskopojë i thashë unë. Mirë thashë po e marrë unë Mikelin, por kur të takohesh me të do vij dhe unë. Vete kjo i jep djalit këtë orë, celularin e djalit. Ja jep kjo, i jep dhe varëse e floririt të këputur, pa kryq. Po iknim rrugës me shpejtësi me ide që të mos na zërë nata. Nxituam rrugës, e çorientuar ishte. Saç fole ti që nuk dije gjë, aq foli dhe ajo”, tha ajo.
“Ai më del në ëndërr çdo natë… pyet Kejsin, se ajo i di të gjitha”, është shprehur ajo me lot në sy.
Në vijim të hetimeve, Kejsi ka hedhur dyshime se autori i mundshëm i vrasjes është xhaxhai i saj, Milen Spahillari, në përpjekje për të larguar dyshimet që rëndonin mbi të.
Megjithatë, familja e Antonios vazhdon të kërkojë drejtësi, të bindur se i riu është vrarë dhe nuk ka kryer vetëvrasje.