Banorët e Baks-Rrjollit në Velipojë vijojnë edhe sot protestën kundër zbatimit të projektit për ndërtimin e një resorti turistik në pronat e tyre, duke e cilësuar atë si vjedhje të tokës. Protestat janë shoqëruar me tensione, pasi më 6 shkurt banorët ndaluan me forcë punonjësit e kompanisë të vijonin punimet, ndërsa përplasjet u përsëritën edhe të shtunën, kur policia shoqëroi në komisariat disa prej banorëve.
Pronarët legjitimë të tokave deklarojnë se nuk do të tërhiqen nga protestat derisa projekti të pezullohet plotësisht. Ata theksojnë se leja e ndërtimit për resortin turistik në Baks-Rrjoll është firmosur nga Belinda Balluku, ndërkohë që hetimet vijojnë dhe çështja ndodhet në proces gjyqësor.
Banorët kërkojnë takim me investitorin Bashkim Ulaj, duke vendosur si kusht pezullimin e punimeve deri në arritjen e një dakordësie. Mes atyre që denoncojnë se po u merret prona janë edhe qytetarë nga Kosova, të cilët deklarojnë se kanë blerë tokë në këtë zonë rreth 25 vite më parë.
Në reagimet e tyre, banorët kujtojnë se Bashkim Ulaj është përfituesi më i madh i pasurive dhe fondeve publike, mbi 3 miliardë euro, si dhe pjesë e komunikimeve komprometuese mes Belinda Ballukut dhe ish-drejtorit të ARRSH-së, Evis Berberi, ku sipas tyre del në pah mekanizmi i ndarjes së tenderave.
Protestuesit paralajmërojnë se do të zhvendosin protestat përpara Prokurorisë së Shkodrës dhe se revolta e tyre do të ashpërsohet.
Në një deklaratë për mediat, qytetarët u shprehën se:
“Katër breza, babë, gjysh, katragjysh, që jemi, na i solli këtu. Me thënë urdhna, zotni, këtu më ka lënë gjyshi, këtu më ka lënë baba, këtu kam blerë vetë, këtu kam pasur stërnipat. I bëjmë thirrje edhe njëherë shtetit shqiptar, me një pikë pështymë, të nxjerrë ekzaktesisht se ku mund të ketë linjë ndonjë dhe çfarë trashëgimtari ka pasur ai aty. Po ku ka pasur, le të shkruhet tërësisht, siç po e shihni vetë ç’po bën dynjaja. Ne i bëjmë një thirrje popullit dhe të gjithë institucioneve shtetërore që ta vënë dorën në zemër, mos ta lëshojnë këtë popull në gjakderdhje. E keni parë edhe ju çfarë po bën policia tani dy ditë. Ne po rrimë më shumë në polici sesa te tokat tona. I bëjmë thirrje shtetit të na japë një rrugëzgjidhje, i bëjmë thirrje kësaj gjykate të na japë një rrugëzgjidhje. Ju falenderoj të gjithëve dhe me respekt.”
Një tjetër banore, Elena Pjeshka, u shpreh se situata përbën një padrejtësi të rëndë. Ajo deklaroi:
“Axhat e mi, babai im, gjyshi im janë gjallë. Duam drejtësi! Ju lutem shumë. Kemi ardhur prej Anglisë. Kam qenë sa kjo vajza kur kam çuar babain tim atje duke parë tokat tona, dhe sot nuk na lënë të ulem atje poshtë. Duam drejtësi! Është e drejta jonë. Sot kemi ardhur prej Anglisë, jemi gjallë, e kemi marrë edhe shi, edhe borë, edhe stuhi këtu. Dhe duam gjakun tonë! Nuk na ndalon asgjë. Nuk kemi ardhur vetëm për 15 gusht për të bërë pushime dhe për të thënë që jemi shqiptarë. Ju lutem, duam drejtësi! Ajo toka është e jona. Vajza ime është gjallë. Axhat e mi janë duke qarë për tokën e tyre. Babai im ka qenë në tokë, e ka çuar ambulanca. Gjyshi im po e ha jetën nga mërzia. Ka le, babai, gjyshi, stërgjyshi, katër stërgjyshërit kanë lënë atje. Dhe sot na thonë se toka nuk është e jona. Kush është ai? Duam drejtësi! Duam drejtësi! Duam drejtësi! Duam drejtësi! Sot duam përgjigje! Sot! Të më përgjigjet shteti, i bëj thirrje Edi Ramës, policisë…”.
Banorët theksojnë se do të vijojnë protestat deri në dhënien e një përgjigjeje konkrete nga institucionet shtetërore dhe drejtësia.








