Skip to content
Të Gjitha

VIDEO/ Lumi i Sylbicës në Valbonë del me furi nga shtrati, merr përpara shtëpinë prej druri, izolohen banorët

· 2 min lexim

Reshjet e dendura të shiut në zonat malore kanë sjellë probleme të shumta sidomos në zonën turistike të Valbonës në Tropojë.

Lumi i Sylbicës në këtë zonë, ka dalë nga shtrati me furi të madhe si pasojë e prurjeve të shumta nga përrenjtë malorë duke shkaktuar dëmtime të mëdha në ekonominë e zonës dhe duke rrezikuar jetën e të paktën 80 banorëve të Valbonës.

Reshjet intensive të shiut sidomos gjatë natës së fundit e bënë lumin e Sylbicëss nga një rrëke në një “përbindësh” duke e nxjerrë nga shtrati dhe duke sjellë gurë e baltë që kanë bllokuar edhe rrugën automobilistike për në bjeshkët e kësaj zone në bashkinë e Tropojës.

Ujërat e furishëm dhe rrëshqitja e dherave e kanë bërë të pakalueshme rrugën dhe 80 banorë të zonës kanë mbetur të izoluar.

Siç shihet qartë edhe në videon e mëposhtme të siguruar nga “Faxnews.al”, rrjedha e ujit po merr me vete gjithçka.

Madje ka shkatërruar edhe një shtëpi prej druri, si dhe ka dëmtuar ambientet e një lokali në këtë zonë.

Pritat mbajtëse në shtratin e lumit, si dhe vendosja e rrjetave mbrojtëse duhet të ndërtohen menjëherë.

Sakaq, edhe aksi Bajram Curri -Valbonë vijon të jetë i bllokuar, për shkak se dherat kanë bllokuar rrugën.

Bashkia Tropojë ka ndërhyrë disa herë për hapjen e këtij segmenti, por ai bllokohet sërish sa herë që në zonë bien shira të furishëm, për shkak të prurjeve malore.

/Burimi: Faxnews.al/ Përshtati: GazetaReforma.com/