Skip to content
Bota

Vaksina 90% efektive ndaj Covid-19/ OBSH:” Duhet të vazhdojmë me zbatimin e masave të vendosura”

· 2 min lexim

Ditën e sotme u njoftua se kompania amerikane Pfizer dhe ajo gjermane BioNTech, kanë finalizuar me sukses vaksinën e parë 90% efektive kundër Covid-19 dhe sipas analizave paraprake, kjo vaksinë mund t’i parandalojë mbi 90 për qind të njerëzve nga kontraktimi i virusit.

Në lidhje me këtë lajm ka reaguar dhe Organizata Botërore e Shëndetësisë nëpërmjet të dërguarit të saj dr. David Nabarro.

Nabarro tha se kjo vaksinë nuk do ta ndryshojë totalisht situatën dhe është shumë e rëndësishme për njerëzit, qeveritë që të vijojnë të zbatojnë masat që ndihmuan në uljen e përhapjes së pandemisë edhe nëse vaksina do të jetë e disponueshme së shpejti.

“Duhet të kujtojmë se këto masa kanë funksionuar dhe janë ende thelbësore për t’u zbatuar edhe nëse vaksina do të jetë e gatshme brenda pak muajsh.

Vaksina do të ndihmonte, por nuk do të jetë një ndryshues i rrënjësishëm i situatës”, tha Nabarro.

Sipas tij vaksina duhet të kalojë në disa procese rregullatore dhe është ende disa muaj larg para se autoritetet të konfirmojnë nëse ajo është e sigurtë dhe efektive.

Ndërkohë numri i të infektuarve me Covid-19 në gjithë botën e ka kaluar shifrën e 50 milionëve dhe që nga fillimi i pandemisë e deri më tani në gjithë botën kanë humbur jetën 1,262,307 njerëz.