Skip to content
Kryesore

“Vajza jonë ka nevojë për trajtim”, flasin prindërit e 15-vjeçares që dhunoi 17-vjeçaren në Fier

· 2 min lexim

Kanë reaguar për herë të parë prindërit e njërës prej 15-vjeçareve të përfshira në dhunimin e 17-vjeçares në Fier, një ngjarje që ka shkaktuar reagime të forta në opinionin publik pas publikimit të pamjeve në rrjetet sociale.

Në një prononcim për A2CNN, ata tregojnë se për atë që kishte ndodhur janë informuar fillimisht nga mediat dhe vetëm më pas janë shoqëruar në ambientet e Policisë për të dhënë deklarimet e tyre lidhur me ngjarjen.

Mes lotësh, nëna e 15-vjeçares i kërkoi falje publike 17-vjeçares dhe familjes së saj, duke shprehur keqardhje të thellë për dhunën e ushtruar ndaj saj.

Prindërit bëjnë me dije se vajza e tyre është diagnostikuar rreth tre muaj më parë me probleme të shëndetit mendor. Sipas tyre, ajo kishte shfaqur edhe më herët episode agresiviteti, ndaj familja kishte kërkuar vazhdimisht ndihmë pranë institucioneve për trajtimin e saj, por pa marrë mbështetjen e nevojshme.

Ata shprehen se për shkak të vështirësive ekonomike nuk kanë pasur mundësi të përballojnë një trajtim të specializuar dhe u bëjnë thirrje institucioneve shtetërore të ndërhyjnë, në mënyrë që vajza të marrë kujdesin e duhur mjekësor dhe psikologjik.

Prindërit theksojnë se nuk synojnë të justifikojnë veprimet e së bijës, por kërkojnë që, krahas përgjegjësisë ligjore për ngjarjen, të mos neglizhohet gjendja e saj shëndetësore dhe nevoja për trajtim.