Mbi 6 milionë lekë evazion fiskal dhe para cash të pajustifikuara, Prokuroria dërgon në gjyq Xhensila Myrtezajn

Prokuroria e Tiranës ka përfunduar hetimet dhe ka dërguar për gjykim këngëtaren Xhensila Myrtezaj, e akuzuar për fshehje të të ardhurave në dy vite të ndryshme, duke shkaktuar, sipas organit të akuzës, mbi 6 milionë lekë evazion fiskal.
Nga hetimet e kryera në kuadër të procedimit penal nr. 5824/2024, Prokuroria ka konstatuar transaksione me pasuri të paluajtshme, depozitime të konsiderueshme në para cash dhe tërheqje fondesh, për të cilat nuk është arritur të justifikohet plotësisht burimi apo përdorimi i tyre.
Për të shpjeguar depozitimet në para, këngëtarja ka paraqitur një deklaratë ku pretendon se të ardhurat janë siguruar nga koncertet brenda dhe jashtë Shqipërisë. Megjithatë, sipas Prokurorisë, dokumentacioni i paraqitur i justifikon këto shuma vetëm pjesërisht.
Ekspertimi kontabël ka përllogaritur se Myrtezaj ka shmangur detyrime tatimore në vlerën 2 417 311 lekë gjatë vitit 2023 dhe 3 658 210 lekë gjatë vitit 2024, me një total prej 6 075 521 lekësh.
Prokuroria e akuzon këngëtaren për veprën penale të fshehjes së të ardhurave, të kryer më shumë se një herë, sipas nenit 180/1 të Kodit Penal. Në kohën kur nisi hetimi, ajo mbante mbiemrin Kallaku.
Njoftimi i plotë i Prokurorisë së Tiranës:
“Fshehu të ardhurat më shumë se një herë duke shkaktuar mbi 6 milionë lekë evazion fiskal, Prokuroria e Tiranës dërgon në gjyq shtetasen Xh.K.
Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm, Tiranë, përfundoi hetimet dhe dërgon në gjyq shtetasen Xh.K., akuzuar për veprën penale ‘Fshehje e të ardhurave’ konsumuar më shumë se një herë parashikuar nga neni 180/1 i Kodit Penal.
Në përfundim të hetimeve mbi procedimit penal nr.5824/ 2024, në analizë të të gjithë informacioneve, verifikimeve dhe veprimeve hetimore të kryera, rezultoi se ka dyshime të arsyeshme se shtetasja Xh.K., është implikuar në kryerjen e veprës penale “Fshehja e të ardhurave”, parashikuar nga neni 180 i K.Penal, pasi rezulton e përfshirë në transaksione me pasuri të paluajtshme me burime të pajustifikuara fondesh, depozitime të konsiderueshme “cash” të cilat nuk justifikohen nga të ardhurat e deklaruara prej tyre, si dhe tërheqje të konsiderueshme “cash” për të cilat nuk ka informacion mbi mënyrën e përdorimit. Për të justifikuar derdhjet cash shtetasja Xh.K., ka dorëzuar një letër të thjeshtë ku deklaron se ka gjeneruar të ardhura nga koncertet brenda dhe jashtë vendit, por ato justifikohen vetëm pjesërisht.
Nga tërësia e akteve të administruara si dhe referuar aktit të ekspertimit kontabël, provohet se e pandehura Xh.K., për vitin 2023, ka shmangur nga detyrimi tatimor (evazion fiskal) e llogaritur nga eksperti shumën totale 2 417 311 Lek. Ndërsa për vitin 2024, ka shmangur nga detyrimi tatimor të llogaritur nga eksperti shumën totale 3 658 210 Lek.
Nga Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm, Tiranë u provua se nga e pandehura është realizuar shmangia nga detyrimi tatimor në dy vite të ndryshme kalendarike të veçanta, ku secili vit përmban fshehjen e qëllimshme të të ardhurave, e në këto rrethana veprat penale janë kryer të pavarura me njëra-tjetrën.
Sa më sipër në bazë të akteve të administruara dhe te analizuara provohet se shtetasja Xh.K., ka konsumuar veprën penale “Fshehje e të ardhurave” dy herë, parashikuar nga neni 180/1 i K. Penal dhe çështja në ngarkim të saj dërgohet për gjykim.”