Skip to content
Kryesore

Rama thotë se e “çliroi” administratën nga presioni politik, po patronazhistët, votat me detyrim dhe shkarkimet? T’ia rifreskojmë pak kujtesën me një listë që ia prish përrallën!

· 4 min lexim

Që Edi Rama bën deklarata të pavërteta, nuk është ndonjë surprizë. Por me deklaratën e fundit për administratën, ia vlen t’i bëjmë një listë me ato që duket se i ka “harruar”.

Madje, po të hetoheshin seriozisht denoncimet për presionin elektoral dhe institucioni të funksiononte siç duhet, SPAK-u do të kishte shumë punë për të bërë. Nga drejtorët që kërkojnë vota, te zyrtarët që japin urdhra dhe politikanët që përfitojnë. Do të duhej të hetoheshin dyshimet për shpërdorim detyre, kanosje, përdorim të funksionit publik për interesa elektorale dhe për grup të strukturuar kriminal.

Sepse kur punonjësve u kërkohen lista votuesish, kur administrata përdoret për fushatë dhe kur vendi i punës kthehet në mjet presioni, nuk mjafton të merresh me atë që zbaton urdhrin. Duhet të shkosh tek ai që e jep.

Por ja çfarë deklaron Rama:

“Ne jemi partia që e kemi çliruar shtetin shqiptar nga makthi i keqtrajtimeve apo largimeve politike nga puna, duke shpëtuar nderin dhe dinjitetin e mijëra mësuesve, infermierëve, policëve, nëpunësve, që përpara sesa ne ta bënim këtë çlirim, ishin mish për topat e partisë në pushtet. Prej vitesh tanimë, nuk u kërkon askush llogari për kë votojnë. Dhe jo më t’i largojmë nga puna pse nuk paraqiten me uniformën e partisë sonë.”

Atëherë, t’ia kujtojmë disa raste.

1. ODIHR-i dokumentoi presion mbi administratën. Në zgjedhjet e vitit 2025, punonjëse të sektorit publik u thanë vëzhguesve se kishin marrë udhëzime nga punëdhënësit për të marrë pjesë në aktivitetet e PS-së.

2. Mësuesve dhe infermierëve u kërkoheshin vota. BIRN publikoi dëshmi nga Shkodra, Malësia e Madhe dhe Vau i Dejës, ku punonjësve u kërkoheshin kontakte emigrantësh. Një mësuese tregoi se priteshin 10 vota nga punonjësit dhe deri në 100 nga drejtuesit.

3. Pamela Isufati u diskriminua për bindje politike. Këtë e konstatoi gjykata. Në çështje u shqyrtuan edhe komunikime ku kërkoheshin emra votuesish. Rasti është dokumentuar nga Komisioneri për Mbrojtjen nga Diskriminimi.

4. Një tjetër çështje diskriminimi politik përfundoi me vendim për 4.43 milionë lekë dëmshpërblim. Edhe kjo është pasqyruar në raportin e Komisionerit.

5. Tetem Hasimaj u pezullua pas kandidimit për PSD-në. BIRN publikoi vendimin që lidhte pezullimin me kandidimin politik. Limonera Bozha në Albpetrol dhe Klortjana Skënderaj në OSHEE denoncuan gjithashtu presione lidhur me kandidimet politike.

6. Sindikata e Arsimit denoncoi presion ndaj mësuesve. Nevrus Kaptelli foli për kërkesa për pjesëmarrje në fushatë, ndërsa Qëndresa Qytetare evidentoi 36 raste të përdorimit të faqeve të institucioneve arsimore për propagandë elektorale.

7. BIRN evidentoi 5,673 punonjës publikë me leje para zgjedhjeve të 2025-s. Investigimi përfshiu dëshmi se punonjësit ishin udhëzuar të merrnin leje për t’u angazhuar në fushatën e PS-së.

8. Patronazhistët. Në vitin 2021, BIRN identifikoi 9,027 patronazhistë në databazën me të dhënat dhe preferencat politike të qytetarëve. Mes tyre kishte edhe punonjës shtetërorë. Po këta për çfarë i duheshin partisë, kur Rama thotë se askush nuk pyetet për votën?

9. Policia. ODIHR-i përfshiu në raportin e vitit 2025 raportime për intimidim të votuesve nga policia në Fier. Policët nuk janë ushtarët e Ramës. Paguhen me taksat tona për t’i shërbyer qytetarëve, jo partisë.

10. Shkarkimet e paligjshme. Komisioni Europian, në nëntor 2026, evidentoi sërish problemin e largimeve të paligjshme nga administrata. Sipas Faktoje, bazuar në të dhënat e KLSH-së, fatura e vendimeve gjyqësore për largimet nga puna në vitin 2024 arriti në 1.367 miliardë lekë.

Dhe sa raste të tjera janë denoncuar ndër vite?

Kush i kërkon votat? Kush i përgatit listat? Kush i urdhëron punonjësit të shkojnë në mitingje? Kush i kërcënon me vendin e punës? Kush i përdor institucionet dhe policinë për interesa partiake?

Këto pyetje duhet t’u drejtohen edhe prokurorive, përfshirë SPAK-un për çështjet që hyjnë në kompetencën e tij. Nëse ka një zinxhir urdhrash dhe një organizim të paligjshëm, përgjegjësia duhet kërkuar deri në fund, jo vetëm te punonjësi që detyrohet të zbatojë urdhrin.

Rama mund të vazhdojë të flasë për administratën që pretendon se e ka çliruar. Por administrata nuk është pronë e tij, policët nuk janë ushtarët e tij dhe vendet e punës nuk janë dhuratë e Partisë Socialiste.

Të gjitha këto institucione mbahen me taksat tona. Madje edhe karrigia nga e cila Rama na tregon se na ka çliruar.