Skip to content
Politikë

U thirr nga prokuroria për t’u marrë në pyetje, akuzë e re për Ajola Xoxën

· 1 min lexim

Prokuroria e Posaçme ka ngritur një akuzë të re ndaj bashkëshortes së Erion Veliajt, Ajola Xoxa, për fshehje të të ardhurave.

Xoxa qëndroi për rreth dy orë në ambientet e SPAK, ndërsa kjo akuzë vjen pas përshkallëzimit të hetimeve ndaj saj, ku më parë ajo ishte nën masën “detyrim paraqitje” të vendosur nga GJKKO.

Akuza e re lidhet me dosjen që ka të bëjë me skemat abuzive me fondet publike, ku Xoxa është përfshirë së bashku me bashkëshortin e saj, Veliaj.

Sipas SPAK, ata kanë krijuar dhe zbatuar një mekanizëm për të marrë përfitime të paligjshme nga fondet e administruara nga Bashkia e Tiranës, me qëllim pasurimin personal dhe familjar në mënyrë të kundërligjshme.

Akuzat ndaj Xoxës përfshijnë “Korrupsionin pasiv të funksionarëve të lartë shtetërorë” dhe “Pastrimin e produkteve të veprës penale”, si dhe “Mosdeklarimin e pasurisë”.

Fillimisht, ndaj saj u caktua masa e sigurisë “Arrest në shtëpi”, por pas seancës së vlerësimit, GJKKO vendosi masën “detyrim paraqitje”.