Skip to content
Kryesore

U sëmur në burg pasi hëngri karkaleca/ Nuredin Dumani në gjendje të rëndë, dyshime për helmim

· 2 min lexim

Nuredin Dumani, i penduari i drejtësisë dhe një nga dëshmitarët kryesorë të SPAK në të paktën 11 dosje të krimit të organizuar, mbrëmjen e djeshme ka rënë pa ndjenja në qelinë e tij në Burgun 313. Ngjarja ndodhi teksa ai po konsumonte karkaleca, moment në të cilin zemra e tij, e njohur për probleme të mëparshme, pësoi çrregullim rrahjesh dhe trupi humbi qëndrueshmërinë.

Punonjësit e policisë së burgut kanë sinjalizuar menjëherë eprorët, ndërsa pas komunikimeve mes SPAK dhe Drejtorisë së Burgjeve, Dumani u transportua me urgjencë drejt spitalit “Nënë Tereza”, i shoqëruar nga dhjetëra efektivë të RENEA-s dhe policisë së burgjeve. Në momentin e mbërritjes në QSUT, ai ishte në gjendje të fikti, pa vetëdije dhe i paaftë të fliste.

Mjekët i matën parametrat jetësorë dhe më pas e nënshtuan ndaj ekzaminimeve skanuese të kokës, barkut dhe gjoksit. Pas procedurave, Dumani u transferua në reanimacionin e Kirurgjisë, ku u vendos në një dhomë të veçantë VIP, nën masa të rrepta sigurie. Fillimisht ai mbeti pa ndjenja, por më pas nisi të rikuperohej dhe të komunikonte pjesërisht.

Dyshimet e para të stafit mjekësor lidhen me një helmim të mundshëm përmes ushqimit. Për këtë arsye janë marrë kampione gjaku për analiza toksikologjike. Deri tani, gjendja e tij shëndetësore është stabilizuar, por ai do të qëndrojë edhe disa ditë në reanimacion deri në përfundimin e analizave dhe përcaktimin e diagnozës përfundimtare.

Që prej prillit 2022, Dumani është kthyer në bashkëpunëtor kyç të SPAK, duke rrëfyer rolin e tij në mbi 13 atentate dhe dhjetëra grabitje të armatosura. Dëshmitë e tij kanë qenë bazë për ngritjen e akuzave në një sërë çështjesh madhore të krimit të organizuar, përfshirë:

  1. Dosja Nr.75 “Plumbi i artë”
  2. Dosja Nr.75/1
  3. Dosja Nr.75/2
  4. Dosja Nr.75/3
  5. Dosja Nr.75/4
  6. Dosja Nr.75/5
  7. Dosja “Metamorfoza”
  8. Dosja kundër Bujar Gërmizit
  9. Dosja kundër Elvis Doçit (Poja)
  10. Dosja kundër grupit “Çopja”
  11. Dosja kundër Elvis Doçit në Itali

Për shkak të rolit të tij si dëshmitar kyç, autoritetet po e mbajnë ngjarjen nën monitorim të rreptë, duke pritur konkluzionet e mjekëve mbi gjendjen shëndetësore të Dumanit.