Skip to content
Politikë

U ndryshua emri i LSI-së, Meta bën reagimin e parë pas konventës

· 2 min lexim

Dje ish-presidenti Ilir Meta, i cili ishte pjesë e Konventës Kombëtare të LSI-së, ka bërë publik për herë të parë ndryshimin e emrit të partisë të cilën e themeloi në vitin 2004. Tashmë  LSI do të quhet “Partia e Lirisë”.

Ndërkohë që ditën e sotme, teksa ka postuar fotoalbumin nga Konventa, Meta  ka falenderuar delegatët e pranishëm.

Gjithashtu ai tha se dje u përmbush hapi i parë në rivendosjen e sovranitetit të popullit shqiptar përnes referendumit.

“Me mirënjohje për të gjithë delegatët për vendimin historik të themelimit të Partisë së Lirisë. Dje hodhëm hapin e parë në përmbushjen e misionit tonë për rivendosjen e Sovranitetit të plotë të popullit shqiptar nëpërmjet Referendumit.

Tani është Koha për Veprim! Asnjë sekondë për të humbur!”, shkruan Meta.

Kujtojmë që dje në nisje të Konventës delegatët e pranishëm miratuan ndryshimet statutore që ishin ndryshimi i emrit dhe vulës së partisë si dhe emërimi i një grupi drejtues të kryesisë deri në momentin e zgjedhjeve të reja në parti.   Ilir Meta bëri publik emrin e ri të LSI-së, e cila tashmë do të quhet Partia e Lirisë.  Partia e re, do të drejtohet nga Ilir Meta deri në zgjedhjet që do të zhvillohen pas dy muajsh, ndërkohë që zëvendës i tij është zgjedhur ish-diplomati Agim Nesho.