Skip to content
Të Gjitha

U kapën në Itali me 20 kg drogë! Zbardhet dëshmia e Agim Kajmakut dhe nipit të tij

· 2 min lexim

Ish-kryebashkiaku i Vorës Agim Kajmaku është arrestuar nga policia italiane, pasi është kapur me 20 kilogramë lëndë narkotike e llojit kokainë.

Kajmaku është arrestuar më datën 27 maj në një operacion anti drogë të zhvilluar në zonën e San Benedeto del Tronto në Itali.

Ndërkohë që ka kaluar pothuajse një javë që prej momentit ku u bë publik, tashmë janë zbardhur detaje të reja nga arrestimi i Kajmakut.

Kajmaku është arrestuar së bashku me nipin e tij për fshehjen e  lëndës narkotike në  vazot e luleve, në një fidanishte në Grottammare.  Bëhet me dije se hetuesit vijojnë hetimet për të zbardhur se si mbërriti në fidanishte 18.8 kilogramë kokainë.

Sakaq, Kajmaku dhe nipi i tij kanë dëshmuar në policinë italiane dhe kanë thënë se nuk dinë asgjë për praninë e drogës në vazot me lule.  Sipas dëshmisë së Kajmakut dhe nipit të tij, ata shkuan për të blerë bimë në disa fidanishte të zonës dhe i mblodhën në atë të Grottammares, ku duhej të ngarkoheshin.  Ish-kryebashkiaku dhe nipi i tij 34-vjeçar me banim në Monterubbiano, janë ende të ndaluar dhe mbahen në burgun e Fermos.

Avokati mbrojtës i të dyve, Vittorio Supino thotë se ka ende shumë punë për të bërë për të zbardhur pozicionin e klientëve të tij.  Ai gjithashtu flet për mjetin e krimit, një çantë me shirit natriban, por i njëjti shirit nuk do të ishte përdorur për paketimin e pakove me kokainë të fshehura në dheun e bimëve të sekuestruara.

Vlen të theksojmë se Partia Socialiste vazhdon “traditën” e saj duke lënë në “baltë” të gjithë ato që dikur i ka pasur në “gjirin” e saj dhe i ka mburrur si figura të pastra.

Kreu i Grupit Parlamentar të PS-së,  Taulant Balla në një dalje për mediat u pyet në lidhje me arrestimin e ish-kryebashkiakut të Vorës Agim Kajmaku në Itali me 20 kg kokainë.

Balla deklaroi se ai nuk është më pjesë e PS ndërsa shtoi se përshëndesin veprimet e organeve të policisë dhe drejtësisë.