Skip to content
Kryesore

Konviktet e studentëve iu dhanë indianëve të Wolt gjatë drejtimit të Anuela Ristanit, Bashkia prish kontratën

· 2 min lexim

Bashkia e Tiranës ka vendosur të ndërpresë kontratën që lejonte akomodimin e shtetasve indianë, punonjës të kompanisë Wolt, në konviktet e Universitetit Bujqësor të Tiranës. Marrëveshja, e nënshkruar në periudhën kur Anuela Ristani ishte zëvendëskryetare e Bashkisë, u anulua pas zbulimit se ambientet e destinuara për studentët po përdoreshin për strehimin e punonjësve të një kompanie private.

Kontrata ishte lidhur më 9 prill 2026 mes Rezidencës Studentore Universitare Nr. 1 dhe kompanisë “Fenix Solution & Trading” sh.p.k. dhe parashikonte akomodimin e personave jo-studentë në godinën nr. 2 të Rezidencës Studentore Universitare Nr. 2, në territorin e Universitetit Bujqësor.

Marrëveshja ishte miratuar gjatë kohës kur Anuela Ristani mbante detyrën e zëvendëskryetares së Bashkisë së Tiranës, ndërsa Olsi Shahini drejtonte Rezidencën Studentore Universitare Nr. 1.

Vendimi për ndërprerjen e kontratës u mor më 30 tetor 2026, vetëm një ditë pas investigimit të emisionit “Fiks Fare”, i cili nxori në dritë akomodimin e punonjësve të huaj në konviktet universitare.

Këshilli Mbikëqyrës i shoqërisë vendosi zgjidhjen e njëanshme të marrëveshjes dhe nisjen e menjëhershme të procedurave për zbatimin e vendimit.

Në njoftimin zyrtar drejtuar kompanisë “Fenix Solution & Trading” kërkohet lirimi dhe dorëzimi i dhomave dhe ambienteve të vëna në dispozicion, së bashku me pajisjet, orenditë, materialet, çelësat dhe kartat e aksesit.

Dokumenti parashikon gjithashtu rakordimin e plotë të detyrimeve financiare mes palëve, përfshirë faturat e emetuara dhe pagesat e papaguara. Dorëzimi i ambienteve do të shoqërohet me një procesverbal, ku do të evidentohen edhe dëmtimet apo mungesat e mundshme.

Sipas vendimit, ndërprerja e marrëveshjes mbështetet në pikën 10.5 të kontratës, e cila parashikon zgjidhjen e saj me njoftim paraprak 60-ditor.

Afati për lirimin e ambienteve dhe përfundimin e procedurave të likuidimit është përcaktuar data 20 dhjetor 2026, ndërsa detyrimet financiare duhet të shlyhen deri më 30 dhjetor 2026.

Ndërkohë, Prokuroria e Tiranës ka regjistruar një procedim penal për veprën e shpërdorimit të detyrës, me qëllim hetimin e rrethanave në të cilat ambientet e konvikteve universitare u vunë në dispozicion të punonjësve të një kompanie private.

Ndërprerja e marrëveshjes nuk e mbyll çështjen, pasi hetimi penal pritet të sqarojë rrethanat e miratimit dhe zbatimit të kontratës, si dhe përgjegjësitë e mundshme të personave të përfshirë.