Skip to content
Kryesore

“Lista e zezë” e protestuesve, ekspertët për BIRN: Rama shkel Kushtetutën, anashkalon gjykatat dhe synon të frikësojë qytetarët

· 5 min lexim

Vendimi i qeverisë Rama për krijimin e një regjistri të posaçëm të protestuesve, që i jep Policisë kompetenca për t’u ndaluar daljen jashtë vendit edhe pa vendim gjykate, është kundërshtuar ashpër nga ekspertët ligjorë. Dy avokatë të intervistuar nga BIRN paralajmërojnë se mekanizmi bie ndesh me Kushtetutën, anashkalon kompetencat e gjykatave dhe mund të shërbejë si instrument për të frikësuar qytetarët e për të dobësuar protestat kundër qeverisë.

Avokatët Gentian Serjani dhe Julian Mërtiri ngrenë shqetësimin se një referim i thjeshtë policor në Prokurori mund të shndërrohet në bazë për kufizimin e lirisë së lëvizjes, pa u provuar fajësia e personit dhe pa një masë sigurimi të vendosur nga gjykata.

“Nëse zbatohet, do të ketë pasoja të rënda për njerëzit, shumë të rënda, pasi mungon kontrolli gjyqësor”, deklaroi për BIRN avokati Julian Mërtiri.

Ekspertët: Policia nuk mund të marrë kompetencat e gjykatës

Avokati dhe aktivisti i të drejtave të njeriut, Gentian Serjani, kundërshton bazën ligjore mbi të cilën qeveria ka mbështetur vendimin.

Sipas tij, neni 6 i ligjit nr. 39/2025, “Për kontrollin e kufirit shtetëror”, zbatohet për personat që tentojnë t’i shmangen ndjekjes penale, ndalimit, arrestimit ose ekzekutimit të një dënimi, jo për çdo qytetar që Policia ka referuar në Prokurori.

“Mënyra se si është hartuar dhe referuar ligji për kontrollin e kufirit shtetëror nuk qëndron, sepse ligji e përcakton qartazi që flet për ata persona të cilët po i shmangen ndjekjes penale, kanë urdhër për t’u ndaluar, ose ka një vendim gjyqësor për t’u arrestuar”, shpjegoi Serjani.

Ai thekson se udhëtimi jashtë vendit për arsye familjare apo profesionale nuk mund të konsiderohet automatikisht përpjekje për t’iu shmangur drejtësisë.

“Aq më shumë që kemi të bëjmë me raste që po ndiqen penalisht apo janë mbajtur 72 orë në arrest pa asnjë provë. Kjo i bën ata të ndalohen nga një e drejtë kushtetuese, pa një vendim gjykate dhe pa pasur asnjë provë konkrete individuale që ky apo këta individë u përfshinë në akte dhune”, theksoi Serjani.

Problemi, sipas tij, bëhet edhe më i rëndë kur gjykata ka vendosur vetëm masën “detyrim paraqitjeje”, ndërsa Policia Kufitare mund t’i ndalojë sërish qytetarit largimin nga Shqipëria.

“Edhe nëse kemi rast ku gjykata s’ka vendosur ndalim apo kufizim të lirisë, por kemi vetëm një masë ‘detyrim paraqitje’, ndalimi për të dalë jashtë është në shkelje të ligjit”, tha ai.

Mërtiri: Vendimi është bërë për të trembur qytetarët dhe për të dobësuar protestat

Edhe avokati Julian Mërtiri e cilëson regjistrin një mekanizëm të paligjshëm, që ndërhyn drejtpërdrejt në kompetencat e Prokurorisë dhe gjykatave.

Ai argumenton se Policia ka të drejtë të identifikojë dhe referojë personat e dyshuar për vepra penale, por nuk mund të vendosë kufizime të lirisë së lëvizjes përmes një regjistri të krijuar prej saj.

“Nëse çështja është referuar, autoriteti që kërkon dhe urdhëron masat është prokurori dhe gjykata. Pra, nuk konceptohet krijimi i një regjistri paralel. Kufizimi i lirisë bëhet vetëm me vendim gjyqësor, qofshin masat e sigurimit apo dënimet përfundimtare. Të ndalosh dikë të dalë jashtë shtetit mbi bazën e një regjistri që ka krijuar vetë policia është tej çdo koncepti ligjor të shtetit të së drejtës”, u shpreh Mërtiri.

Përtej shkeljeve ligjore që evidenton, avokati e lidh vendimin me valën e protestave kundër qeverisë së Edi Ramës.

“Patjetër që është bërë për të trembur qytetarët dhe për të ulur fuqinë e protestës, dhe mesa shoh i ka dhënë efektet e veta, ndonëse që të gjejë zbatim ligjor është e vështirë”, deklaroi ai për BIRN.

Nga kufizimi i udhëtimeve te njoftimi i hoteleve dhe autoriteteve të huaja

Shqetësimet e ekspertëve nuk kufizohen vetëm te ndalimi i daljes jashtë vendit.

Vendimi i qeverisë parashikon që autoritetet shqiptare të njoftojnë shtetet e huaja për personat e regjistruar, edhe në rastet kur atyre u lejohet udhëtimi.

Gjithashtu, Policia mund të njoftojë subjektet private që administrojnë struktura akomoduese, përfshirë hotelet dhe bujtinat, për personat e përfshirë në regjistër dhe referimin e tyre në Prokurori.

Kjo do të thotë se informacioni mbi dyshimet penale ndaj një qytetari mund të shpërndahet edhe jashtë institucioneve ligjzbatuese, pa pasur një vendim gjyqësor që vërteton fajësinë e tij.

Ndërkohë, qytetarët që pengohen të udhëtojnë mund ta kundërshtojnë vendimin në Gjykatën Administrative, duke u detyruar të nisin një tjetër proces gjyqësor për të ushtruar një të drejtë që gjykata penale nuk ua ka kufizuar.

“Edhe nëse shfuqizohet, dëmi ndaj qytetarëve mund të jetë bërë”

Mërtiri paralajmëron se pasojat e regjistrimit mund të zgjasin me muaj, pavarësisht se vendimi parashikon rishikimin e nevojës për ruajtjen e të dhënave brenda 30 ditëve.

Sipas tij, edhe nëse gjykata e shfuqizon më vonë vendimin e qeverisë, qytetarët mund të kenë humbur mundësi udhëtimi, të jenë përballur me pasoja nga njoftimi i autoriteteve të huaja dhe të kenë kaluar muaj në procese gjyqësore.

“Praktikisht kjo do të shkojë në gjykatë dhe do të shfuqizohet, por ndërkohë personat mund të kenë pasoja të dukshme dhe do t’u duhen muaj të tërë derisa ta heqin veten nga lista. Cenohet liria e individit pa vendim gjyqësor, gjë që është e papranueshme”, përfundoi Mërtiri.

Paralajmërimi i ekspertëve për BIRN është i qartë: regjistri i miratuar nga qeveria rrezikon të kthehet në një mekanizëm presioni ndaj protestuesve, ku dyshimi policor mjafton për t’i kufizuar qytetarit të drejta themelore, pa kaluar më parë në filtrin e gjykatës.