Një ngjarje e rëndë ka ndodhur në orët e para të mëngjesit të së dielës në zonën e Freskut në Tiranë, ku është gjetur i pajetë Indrit Sinani, efektiv i Policisë Rrugore të kryeqytetit.
Sipas të dhënave paraprake, dyshohet se 30-vjeçari i ka dhënë fund jetës, ndërsa rrethanat e plota të ngjarjes mbeten ende të paqarta. Lajmi ka tronditur familjarët, miqtë dhe kolegët e tij, të cilët e njihnin prej vitesh si pjesë të strukturave të Policisë Rrugore.
Sinani, me origjinë nga Tropoja, kishte shërbyer për rreth tetë vite në Policinë Rrugore të Tiranës. Ai ka lënë pas bashkëshorten dhe vajzën e tij 8-vjeçare.
Autoritetet kanë nisur hetimet për zbardhjen e plotë të rastit dhe përcaktimin e rrethanave që çuan në këtë ngjarje të rëndë.
Ceremonia mortore e Indrit Sinanit pritet të zhvillohet ditën e hënë në varrezat e Tufinës, ku familjarë, të afërm, miq dhe kolegë do t’i japin lamtumirën e fundit.







