Policia e Tiranës ka arrestuar ditën e sotme një 21-vjeçar, pasi sipas Policisë po transportonte emigrantë në mënyrë të paligjshme. Me anë të një njoftimi për mediat policia thotë se një 21-vjeçar tjetër është shpallur në kërkim, pasi ishte i përfshirë në rrjetin trafikimit të emigrantëve kundrejt pagesave të ndryshme.
I arrestuari 21 vjeçar me iniciale J.K, në bashkëpunim me persona të tjerë, dyshohet se kundrejt shpërblimit monetar, ka marrë me mjetin e tij privat, 9 shtetas emigrantë të paligjshëm, të cilëve iu kishte premtuar kalimin drejt vendeve të BE-së. Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, për veprën penale “Ndihma për kalim të paligjshëm të kufijve”
Njoftimi i policisë
Goditet një tjetër rast i veprimtarisë kriminale në fushën e dhënies ndihmë shtetasve të huaj, për kalim të paligjshëm të kufirit, kundrejt fitimit.
Finalizohet operacioni i koduar “TRACKING”, i zhvilluar nga Seksioni për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme në Drejtorinë Vendore të Policisë Tiranë, në bashkëpunim me Sektorin e Forcës së Posaçme Operacionale në DVP Tiranë dhe Komisariatin e Policisë Krujë.
U kap duke transportuar emigrantë të paligjshëm, arrestohet në flagrancë 21-vjeçari, si edhe shpallet në kërkim një shtetas tjetër.
Në vijim të goditjeve të njëpasnjëshme të veprimtarisë kriminale në fushën e kontrabandimit të emigrantëve nga vendet e treta, drejt vendeve të BE-së, specialistët e Seksionit për Trafiqet e Paligjshme në DVP Tiranë, në bashkëpunim me Sektorin e Forcës së Posaçme Operacionale në DVP Tiranë dhe Komisariatin e Policisë Krujë, organizuan dhe finalizuan operacionin e koduar “TRACKING”, në kuadër të të cilit u bë kapja dhe arrestimi në flagrancë i shtetasit:
•J. K., 21 vjeç, banues në Has.
Si edhe u bë shpallja në kërkim e shtetasit:
•E. K., 21 vjeç, i cili dyshohet se është i implikuar si bashkëpunëtor në këtë veprimtari kriminale.
Shtetasi J. K., në bashkëpunim me persona të tjerë, dyshohet se kundrejt shpërblimit monetar, ka marrë me mjetin e tij privat, 9 shtetas emigrantë të paligjshëm, të cilëve iu kishte premtuar kalimin drejt vendeve të BE-së.
Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, për veprën penale “Ndihma për kalim të paligjshëm të kufijve”.