Skip to content
Kryesore

Tragjedi në autostradën Durrës-Tiranë/ Përplasen 5 makina, humb jetën 45-vjeçari, 5 të plagosur! Shoferja largohet nga vendngjarja

· 2 min lexim

Një aksident i rëndë me pasojë vdekjen e një personi dhe plagosjen e pesë të tjerëve ka ndodhur mëngjesin e sotëm në autostradën Durrës-Tiranë, ku janë përfshirë pesë automjete.

Ngjarja ka ndodhur rreth orës 05:20. Viktima është 45-vjeçari Hysen Balla, i cili është përplasur me një kamion dhe ka humbur jetën në vendngjarje. Pas përplasjes së parë, në aksident janë përfshirë edhe tre automjete të tjera.

Pesë pasagjerë kanë mbetur të lënduar, por sipas Policisë ndodhen jashtë rrezikut për jetën.

Një tjetër element që po hetohet është largimi nga vendngjarja i drejtueses së dyshuar të njërit prej automjeteve. Shtetasja A. V. është shoqëruar më pas për të sqaruar rrethanat e ngjarjes.

Policia njofton:

“Rreth orës 05:20, në autostradën Durrës-Tiranë, janë përfshirë në një aksident rrugor 5 automjete. Shtetasi H. B., 45 vjeç, është përplasur me një kamion dhe, si pasojë e përplasjes, ka humbur jetën në vendngjarje.

Më pas, në aksident janë përfshirë edhe tre mjete të tjera, me drejtues shtetasit G. L., 59 vjeç dhe J. I., 34 vjeç, si dhe 5 pasagjerë, të cilët ndodhen jashtë rrezikut për jetën.

Ndërsa shtetasja A. V., e cila dyshohet se ka qenë drejtuese e njërit prej automjeteve të përfshira në aksident, është larguar nga vendngjarja dhe është shoqëruar për të sqaruar rrethanat e ngjarjes.

Grupi hetimor dhe shërbimet e Policisë ndodhen në vendngjarje dhe po kryejnë veprimet e nevojshme hetimore për dokumentimin e plotë të ngjarjes, si dhe për sqarimin e rrethanave dhe shkaqeve të aksidentit.”