Një shqiptar po përfundon në burg çdo dy ditë në Britani, sipas të dhënave të publikuara nga media britanike dhe autoritetet vendase, ndërsa fenomeni lidhet drejtpërdrejt me valën e emigrantëve që mbërritën me varka të vogla në vitin 2022.
Sipas raportimit të The Telegraph, gjatë tre muajve të parë të këtij viti, 63 shqiptarë janë dënuar me burg, me një total prej 207 vitesh dënim. Ata përbëjnë rreth 9% të të gjithë shtetasve të huaj të burgosur në Angli dhe Uells. Një pjesë e tyre dyshohet se kanë hyrë ilegalisht në vend, kryesisht për të punuar në ekonominë informale ose për t’u përfshirë në aktivitete kriminale.
Veprat penale më të shpeshta lidhen me trafikun e drogës dhe vjedhjet. Një nga rastet më të rënda është ai i Klevi Pirjani, i cili u dënua me burgim të përjetshëm për vrasjen e foshnjës së tij tre-mujore.
Autoritetet britanike theksojnë se çdo i burgosur i kushton shtetit mbi 60 mijë paund në vit. Nëse të gjithë të dënuarit shqiptarë kryejnë plotësisht dënimet e tyre, kostoja totale mund të arrijë deri në rreth 800 milionë paund.
Sipas National Crime Agency, shumë të rinj shqiptarë joshen nga mundësitë për të fituar para në ekonominë informale, duke punuar në sektorë si ndërtimi, hoteleria, larja e makinave apo berberët, me fitime që arrijnë rreth 100 paund në ditë.
Mes rasteve më të fundit janë dënuar dy vëllezër shqiptarë për trafik të madh kokaine, një i ri për trafik armësh dhe një grup prej pesë personash për vjedhje të organizuara në zonat e Midlands dhe veriut të Anglisë.
Ndërkohë, ligjet e reja në Britani parashikojnë deportime të menjëhershme për shtetasit e huaj që dënohen me më shumë se 12 muaj burg. Në kuadër të marrëveshjes me Shqipërinë, fluturimet e deportimit zhvillohen pothuajse çdo javë. Vetëm javën e kaluar, 50 shqiptarë të dënuar ose azilkërkues të refuzuar u kthyen në Shqipëri, me një total dënimesh prej afro 70 vitesh.
Sekretarja e Brendshme britanike, Shabana Mahmood, ka deklaruar se qeveria do të intensifikojë masat e deportimit, me synimin për të rikthyer rendin dhe kontrollin mbi emigracionin dhe kriminalitetin.








