Thanë se e vrau ariu, por e kishin vrarë vetë! Gruaja dhe djali arrestohen për krimin në Bulqizë

Vdekja e Urim Fikut, 61 vjeç, në fshatin Godvi të Bulqizës, e raportuar fillimisht si pasojë e sulmit të një ariu, ka rezultuar një vrasje. Policia ka arrestuar bashkëshorten e tij, Sadete Fiku, 57 vjeçe, dhe djalin, Gazmir Fiku, 33 vjeç, të dyshuar se e kanë vrarë në bashkëpunim me armë zjarri dhe mjete të forta prerëse.
Ngjarja ndodhi më 3 nëntor, kur familjarët kërkuan ndihmë mjekësore, duke deklaruar se 61-vjeçari ishte sulmuar dhe kafshuar nga një ari teksa ndodhej në mal për të kullotur dhitë.
Por ekzaminimet mjekoligjore zbuluan një plagë të shkaktuar nga arma e zjarrit në kraharorin e viktimës, duke rrëzuar versionin fillestar të familjarëve dhe duke orientuar hetimet drejt pistës së vrasjes.
Pas hetimeve të zhvilluara nga Sektori për Hetimin e Krimeve të Rënda në Policinë e Dibrës, nën drejtimin e Prokurorisë, u bë ndalimi i bashkëshortes dhe djalit të viktimës.
Në njoftimin zyrtar të 4 nëntorit, Policia deklaron:
“Zbardhet ngjarja e ndodhur në fshatin Godvi, Bulqizë, ku fillimisht u raportua se një shtetas kishte humbur jetën pas sulmit nga një kafshë e egër.
Arrestohen bashkëshortja dhe djali i tij, të dyshuar për vrasjen e tij me armë zjarri dhe mjete të forta prerëse.
Më datë 04.11.2026, nga Sektori për Hetimin e Krimeve të Rënda në DVP Dibër, nën drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Dibër, pas një hetimi intensiv, u bë i mundur dokumentimi i ngjarjes së ndodhur më datë 03.11.2026, në fshatin Godvi, Bulqizë.
Fillimisht, familjarët e shtetasit U. F. raportuan se ai kishte humbur jetën si pasojë e sulmit nga një kafshë e egër (ari), por nga hetimet e kryera dhe ekzaminimet mjekoligjore rezultoi se ky shtetas ishte vrarë me armë zjarri.
Në vijim të veprimeve hetimore, u bë ndalimi i shtetasve:
-
S. F., 57 vjeçe;
-
G. F., 33 vjeç;
të dy banues në fshatin Godvi (përkatësisht bashkëshortja dhe djali i shtetasit U. F.).
Ndalimi i tyre u bë pasi dyshohet se, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, kanë vrarë me armë zjarri dhe mjete të forta prerëse shtetasin U. F.
Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan një armë zjarri pistoletë, model 54, me fishekë, si dhe një gëzhojë pistolete, e gjetur në oborrin e banesës.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë Dibër për veprat penale “Vrasja për shkak të marrëdhënieve familjare” dhe “Mbajtja pa leje e armëve dhe municioneve”, kryer në bashkëpunim.”
Motivi i krimit nuk është bërë ende publik. Hetimet vijojnë për të zbardhur rrethanat e vrasjes dhe rolin e secilit prej dy të arrestuarve.