Skip to content
Bota

Tërmeti 7.4 ballë shkatërron Kolumbinë, mbi 110 të vdekur dhe njerëz nën rrënoja, shpallet emergjenca kombëtare

· 2 min lexim

Kolumbia ka shpallur gjendjen e jashtëzakonshme kombëtare pas tërmetit shkatërrimtar me magnitudë 7.4, që goditi pjesën perëndimore të vendit, duke lënë të paktën 111 viktima, persona të plagosur dhe të tjerë ende të bllokuar nën rrënoja.

Tërmeti goditi vendin të hënën në orën 07:34 me orën lokale (12:34 GMT). Sipas Shërbimit Gjeologjik të SHBA-së (USGS), epiqendra ndodhej pranë San José del Palmar, në rajonin Chocó, ndërsa lëkundjet e fuqishme u ndjenë në një zonë të gjerë, përfshirë Cali dhe Medellín.

Dhjetëra ndërtesa janë shembur në Cali dhe zona të tjera të prekura. Kryebashkiaku i Calit, Alejandro Eder, ka bërë të ditur se persona ndodhen ende të bllokuar në ndërtesat e rrënuara, ndërsa ekipet e kërkim-shpëtimit vijojnë operacionet në garë me kohën.

Dëme të rënda dhe persona të lënduar janë raportuar gjithashtu në Quibdó dhe Pereira. Pamjet nga zonat e goditura tregojnë ndërtesa të dëmtuara dhe struktura me tulla të shembura mbi makina të parkuara. Mes objekteve të dëmtuara është edhe Katedralja e Manizales.

Bilanci i viktimave ka arritur në të paktën 111 persona, ndërsa operacionet e kërkimit vazhdojnë dhe ekziston frika se numri mund të ndryshojë për shkak të personave që ndodhen ende nën rrënoja.

Përballë përmasave të katastrofës, qeveria kolumbiane ka shpallur emergjencën kombëtare, duke i hapur rrugë mobilizimit të burimeve, forcave dhe kapaciteteve të nevojshme për operacionet e shpëtimit dhe ndihmën ndaj zonave të prekura.

Tërmeti ka sjellë edhe reagime ndërkombëtare, me disa vende që kanë shprehur gatishmërinë për të dërguar në Kolumbi ekipe kërkim-shpëtimi, personel mjekësor, pajisje dhe furnizime për përballimin e pasojave.