SPAK ka përfunduar hetimet dhe ka dërguar për gjykim kryebashkiakun e Bashkisë Kolonjë, Erion Isai, ish-zëvendëskryetaren e tij, Eljona Mydini, ish-drejtues dhe ish-punonjës të Autoritetit Rrugor Shqiptar, punonjës të Bashkisë Kolonjë, si dhe administratoren e shoqërisë “A&E Engineering” sh.p.k., Entela Çano.
Dosja lidhet me disa procedura prokurimi të zhvilluara nga ARRSH dhe Bashkia Kolonjë, ku sipas SPAK janë konstatuar shkelje ligjore, favorizim në tendera, falsifikim dokumentesh dhe shpërdorim detyre.
Në qendër të hetimeve është tenderi për “Ndërtimin e rrugës Korçë-Ersekë, Loti 2, pjesa e parë”, me fond limit 2.87 miliardë lekë me TVSH, i zhvilluar nga ARRSH më 24 shtator 2020. Sipas Prokurorisë së Posaçme, projekti ishte paraqitur si nismë e Bashkisë Kolonjë në formën e një donacioni, por hetimet kanë treguar se bashkia nuk kishte dokumentacion projektues të përgatitur prej saj.
SPAK thotë se punonjës të Bashkisë Kolonjë, në bashkëpunim me Entela Çanon, kanë falsifikuar procesverbalin e marrjes në dorëzim të projektit, ndërkohë që sipas hetimeve nuk ka pasur projekt. Po ashtu, sipas Prokurorisë, fondi limit është përcaktuar mbi të dhëna të paraqitura nga vetë administratorja e “A&E Engineering”, shoqëri që më pas fitoi kontratën e mbikëqyrjes së punimeve.
Nga ekspertimi teknik, vlerësues dhe kontabël, SPAK thotë se fondi i përcaktuar për këtë procedurë është fryrë me 590,213,874 lekë, shumë që përbën dëm ekonomik për shtetin.
Hetimet janë shtrirë edhe te tenderi për supervizimin e punimeve të rrugës Korçë-Ersekë, ku sipas SPAK anëtarë të komisionit të vlerësimit të ofertave kanë krijuar avantazhe të padrejta për “A&E Engineering” sh.p.k.
Një tjetër procedurë e hetuar lidhet me mbikëqyrjen e punimeve për ujësjellësin e Ersekës dhe disa fshatrave. Sipas SPAK, punonjës të Bashkisë Kolonjë, në bashkëpunim me kryebashkiakun Erion Isai, kanë favorizuar shoqërinë fituese, duke u bazuar në oferta fiktive dhe kritere të përcaktuara nga vetë kompania.
Në përfundim të hetimeve, SPAK ka kërkuar gjykimin e të pandehurve, ndërsa dosja pritet të shqyrtohet nga Gjykata e Posaçme.







