Takuan Roven Zekën në burg, SPAK nis hetimet për dy shefat e komisariateve

SPAK ka nisur hetimet për disa zyrtarë të policisë, të cilët dyshohet se kanë kryer takime të paautorizuara me Roven Zekën, të paraburgosurin për korrupsion.
Gjatë hetimeve, janë marrë deklaratat e të paktën dy shefave të komisariateve në Tiranë, ndërkohë që është sekuestruar një telefon dhe janë kontrolluar kamerat e sigurisë.
Po ashtu, ka pasur hetime edhe për një biznesmen, i cili është bërë subjekt i prokurores Elida Kaçkini. SPAK ka pyetur gjithashtu personat përgjegjës në Bllokun e Sigurisë në “Mine Peza” për të sqaruar detaje mbi takimet me të paraburgosurin dhe arsyet e mundshme të këtyre kontakteve.
Roven Zeka, shef i Komisariatit të Policisë Rrugore të Tiranës, bashkë me Sokol Novakun, shef të Hetimit të Aksidenteve, dhe oficerin e policisë rrugore Edison Tabaku, u arrestuan disa ditë më parë në kuadër të një hetimi të SPAK për korrupsion.
Dyshohet se ata kanë pranuar 2 mijë euro ryshfet për të manipuluar provat lidhur me një aksident rrugor të shkaktuar nga bashkëshortja e një biznesmeni. GJKKO ka dhënë masën e sigurisë “arrest me burg” për të tre të dyshuarit.