Strazimiri: AKSHI është banka e fshehtë e Ramës, 600 milionë euro për sisteme që dështojnë

Deputeti i Partisë Demokratike, Gent Strazimiri, ka ngritur akuza të forta ndaj qeverisë dhe kryeministrit Edi Rama lidhur me fondet e Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit (AKSHI), duke pretenduar se ky institucion është shndërruar në një mekanizëm për shpërndarjen e qindra milionë eurove të taksapaguesve për sisteme që, sipas tij, nuk funksionojnë.
I ftuar në emisionin “ASHOW”, Strazimiri deklaroi se pas skandalit me fondet e AKSHI-t qëndron drejtpërdrejt kryeministri Rama, duke e cilësuar institucionin si një strukturë që menaxhon shuma të mëdha parash përmes tenderave të diskutueshëm.
Sipas tij, AKSHI është një institucion në varësi të drejtpërdrejtë të kryeministrit dhe përgjegjës për administrimin e sistemeve dixhitale të shtetit, përfshirë databazat dhe platformat online si e-Albania.
“Është direkt Edi Rama. AKSHI është një drejtori në vartësi të drejtpërdrejtë të kryeministrit. Mirlinda e AKSHI-t, në fakt, është Mirlinda e Edi Ramës. AKSHI supozohet të na mbrojë nga pikëpamja dixhitale, virtuale, e internetit dhe e informacioneve; të mbrojë të gjitha sistemet që kemi, sekrete ose jo, databazën e shtetit, si dhe disa operacione të tjera që realizohen përmes platformave si “Diella” apo të tjera, pjesë e propagandës që ata përmendin. Në fakt, asgjë nuk funksionon siç duhet. Edhe e-Albania dhe sisteme të tjera menaxhohen nga AKSHI,” u shpreh Strazimiri.
Deputeti demokrat pretendoi se përmes tenderave të AKSHI-t shpenzohen çdo vit rreth 600 milionë euro për sisteme që, sipas tij, nuk japin rezultatet e pritshme.
“Ne paguajmë për AKSHI-n të paktën 600 milionë euro në vit përmes tenderave, që supozohet të na garantojnë sigurinë dhe funksionimin e këtyre sistemeve, por në realitet kjo nuk ndodh. As e-Albania nuk funksionon, as kadastra online, asnjë prej sistemeve online nuk funksionon siç duhet,” tha ai.
Strazimiri u ndal edhe te sulmet kibernetike që kanë goditur institucionet shqiptare në vitet e fundit, duke deklaruar se pavarësisht investimeve të mëdha në sistemet dixhitale, databazat shtetërore vazhdojnë të jenë të ekspozuara ndaj rreziqeve.
Ai shtoi se fondet e mëdha të administruara nga AKSHI, sipas pretendimeve të ngritura, përfundonin në vendimmarrje që merreshin jashtë institucioneve zyrtare.
“Të gjitha këto 600 milionë euro në vit administrohen nga Mirlinda, e cila varet drejtpërdrejt nga Edi Rama. Ajo, që supozohej të luftonte korrupsionin, i shpërndante fondet jo në zyrën e qeverisë, por në zyrën private të Ergys Agasit, drejtues politik i Partisë Socialiste në qarkun e Durrësit,” deklaroi Strazimiri.
Në vijim të deklaratës së tij, deputeti përmendi edhe një episod që lidhet me një kantinë vere me vlerë 3 milionë euro, e cila sipas tij ishte bllokuar nga SPAK, por u zbraz brenda natës pa u kuptuar se çfarë ndodhi dhe pa u ndëshkuar askush përgjegjës për ruajtjen e saj.
“Vlen 2 milionë euro? S’ka gjë, e bëjmë tenderin 4.” Pra, një fond prej 2 milionë eurosh dyfishohej pa problem. Këto diskutime, sipas akuzave, bëheshin në një zyrë ku konsumohej verë me vlerë 33 mijë euro shishja,” u shpreh ai.
Në përfundim, Strazimiri theksoi se çështja kryesore mbetet funksionimi i drejtësisë dhe përgjegjësia institucionale për fondet publike, duke shtuar se një sistem drejtësie funksional, sipas modelit të vendeve europiane si Franca, Gjermania apo Italia, është thelbësor për garantimin e shtetit ligjor.
Read next
Pas dështimit për t’u bërë gjyqtare, motra e Belinda Ballukut, Pamela Qirko pritet të emërohet në krye të Agjencisë së Sigurimit të Depozitave
Agjencia e Sigurimit të Depozitave (ASD) pritet të plotësojë gjatë këtij muaji strukturën e saj drejtuese ekzekutive. Pas…
11 mijë euro qira te kulla e Bashkim Ulajt, KLGJ bllokon planin e Dvoranit: Apeli do të çonte zyrat dhe dosjet te biznesmeni me dhjetëra çështje që presin gjykim
Gjykata Administrative e Apelit nuk kishte zgjedhur një ndërtesë të zakonshme për të sistemuar 25 ndihmësit ligjorë dhe…
DITA 53/ “Nëse kanë një pikë burrërie, deputetët e opozitës të ngujohen në Parlament”/ Pensionisti: Marr 10 mijë lekë, detyrohem të punoj në të zezë
Një pensionist i pranishëm në protestën e zhvilluar këtë të martë ka deklaruar se është i detyruar të…
Shkon në 2 numri i viktimave të aksidentit tragjik te TEG-u, humb jetën edhe punonjësi i dytë i betonieres
Ka shkuar në dy numri i viktimave të aksidentit tragjik të ndodhur pasditen e sotme, rreth orës 16:20,…