Skip to content
Kryesore

“Spastrimi etnik i Kosovës”, ministrja serbe i kërkon falje Vuçiçit, por jo shqiptarëve

· 4 min lexim

Ministrja serbe Snezhana Paunoviç ka reaguar pas deklaratës së saj se, po të ishte në vend të Sllobodan Millosheviçit, do ta kishte “spastruar etnikisht Kosovën”. Por edhe reagimi i saj ka shkaktuar polemika, pasi ajo nuk u kërkoi falje shqiptarëve ndaj të cilëve drejtohej deklarata, por vetëm presidentit Aleksandar Vuçiç, Qeverisë së Serbisë dhe kryeministrit Gjuro Macut.

Paunoviç u shfaq në televizionin pranë qeverisë, Informer TV, ku pretendoi se deklarata e saj ishte nxjerrë jashtë kontekstit dhe ishte keqinterpretuar.

“I kërkoj falje presidentit Vuçiç, Qeverisë së Serbisë dhe kryeministrit Macut, për faktin se ata janë akuzuar pa asnjë faj”, deklaroi ministrja serbe.

Pra, falja e saj nuk iu drejtua shqiptarëve të Kosovës, familjeve që kanë përjetuar dëbimet masive, dhunën dhe krimet e viteve 1998 dhe 1999, por drejtuesve të shtetit serb, të cilët, sipas saj, u përfshinë padrejtësisht në debat.

Paunoviç tha se nga një intervistë rreth njëorëshe ishin shkëputur vetëm shtatë sekonda dhe se mbi këtë fragment ishte ndërtuar një çështje politike.

“Çfarë kam thënë ishte historia ime, jo një deklaratë. Është e pakëndshme të më duhet të shpjegoj se kjo nuk është politika e presidentit dhe as e qeverisë”, u shpreh ajo.

Megjithatë, ministrja nuk mohoi se i kishte shqiptuar fjalët për spastrimin etnik të Kosovës. Ajo nuk deklaroi se dëbimi i shqiptarëve do të ishte i papranueshëm, nuk e dënoi vetë konceptin e spastrimit etnik dhe nuk u tërhoq qartësisht nga përmbajtja e deklaratës.

Në vend të kësaj, ajo u përqendrua te dëmi politik që deklarata mund t’i kishte shkaktuar presidentit Vuçiç dhe qeverisë serbe.

Reagimi vjen pasi Paunoviç deklaroi gjatë një interviste për median serbe “Kurir” se, po të kishte qenë në vend të Sllobodan Millosheviçit, do ta kishte “spastruar etnikisht Kosovën” që në vitin 1998.

Ajo kishte sqaruar se nuk nënkuptonte “likuidimin” e shqiptarëve, por largimin e tyre nga Kosova dhe dërgimin drejt asaj që e quajti “shteti i tyre amë”.

Por dëbimi i një popullsie nga territori ku jeton vetëm për shkak të përkatësisë së saj etnike përbën pikërisht thelbin e spastrimit etnik. Për këtë arsye, sqarimi i ministres nuk e zbuti deklaratën, por konfirmoi se ajo po fliste për largimin e shqiptarëve nga Kosova.

Deklarata shkaktoi reagime të forta në Kosovë, Shqipëri, Bashkimin Europian dhe në një pjesë të politikës serbe.

Qeveria serbe nuk e shkarkoi ministren dhe nuk u distancua menjëherë dhe qartësisht nga deklarata e saj.

Përkundrazi, zëvendëskryeministri dhe ministri i Brendshëm, Ivica Daçiç, doli në mbrojtje të Paunoviçit dhe i quajti kritikat ndaj saj “të turpshme dhe hipokrite”.

Bashkimi Europian deklaroi se në Europë nuk ka vend për retorikë që promovon ose justifikon spastrimin etnik. Komisionerja për Zgjerimin, Marta Kos, kërkoi tolerancë zero ndaj deklaratave të tilla, ndërsa përfaqësues të Komisionit Europian theksuan se gjuha e përdorur bie ndesh me dinjitetin njerëzor, pajtimin dhe marrëdhëniet e fqinjësisë së mirë.

Kosova ndërmori masën më të fortë institucionale, duke e shpallur Paunoviçin person “non grata” dhe duke i ndaluar hyrjen ose kalimin në territorin e vendit.

Paunoviç e quajti këtë vendim paradoksal dhe deklaroi se prej rreth tre vitesh nuk i lejohej hyrja në Kosovë. Por edhe në këtë pjesë të reagimit të saj, ministrja nuk shprehu keqardhje për përmbajtjen e fjalëve të përdorura ndaj shqiptarëve.

Shqipëria e dënoi deklaratën përmes ministrit për Europën dhe Punët e Jashtme, por nuk u bë publik ndonjë vendim për ta shpallur ministren serbe person “non grata”, për të thirrur ambasadorin serb apo për t’i dorëzuar Beogradit një notë zyrtare proteste.