Skip to content
Kryesore

Mbi 6 muaj në kërkim/ Xhuana Nikollaj i dha fund jetës pas dhunës së dyshuar, arrestohet ish-partneri Eraldo Fizi

· 2 min lexim

More se gjashtë muaj pas shpalljes në kërkim, është arrestuar në Lezhë Eraldo Fizi, i dyshuar për dhunë ndaj ish-partneres së tij, Xhuana Nikollaj, 25-vjeçares që më pas konsumoi fostoksinë dhe ndërroi jetë në spital.

Sipas informacioneve paraprake, arrestimi u realizua pas bashkëpunimit mes Komisariatit Nr. 2 në Tiranë dhe Komisariatit të Lezhës. Kontaktet me familjarët dhe avokatin e Fizit kanë bërë të mundur dorëzimin e tij.

Aktualisht, Eraldo Fizi ndodhet në Lezhë dhe pritet të transferohet drejt Tiranës, ku do të vijojnë procedurat përkatëse.

Xhuana Nikollaj dhe Eraldo Fizi ishin martuar në qershor të vitit 2025 në Lezhë, por martesa e tyre zgjati vetëm rreth tre muaj. Pas ndarjes, 25-vjeçarja ishte zhvendosur në Tiranë, ku jetonte me motrat e saj.

Fizi ishte kthyer nga jashtë vendit më 9 mars dhe dyshohet se kishte shkuar në banesën e ish-bashkëshortes në Tiranë, ku mund të ketë pasur një përplasje mes tyre.

Vetëm një ditë më pas, në orët e para të mëngjesit të 10 marsit, Xhuana Nikollaj konsumoi fostoksinë. Ajo u dërgua në spital, por nuk arriti të mbijetonte.

Sipas hetimeve, në trupin e 25-vjeçares u konstatuan edhe shenja dhune në kokë, fytyrë dhe në njërin krah. Në banesë u gjet gjithashtu një letër që e reja u kishte lënë prindërve.

Pas më shumë se gjashtë muajsh në kërkim, arrestimi i Eraldo Fizit rikthen në vëmendje hetimin mbi rrethanat që i paraprinë vdekjes së Xhuana Nikollajt dhe dyshimet për dhunën e ushtruar ndaj saj.