Skip to content
Kryesore

Nga telefonat te përgjimet dhe dosjet e zvarritura: Rregullat e reja që trondisin procedurën penale

· 4 min lexim

Ndryshime të rëndësishme në mënyrën se si zhvillohen hetimet penale, kontrollohen telefonat, ushtrohet mbrojtja dhe trajtohen personat e thirrur nga policia apo prokuroria parashikohen në paketën e re të ndryshimeve në Kodin e Procedurës Penale.

Kryeministri Edi Rama, gjatë prezantimit këtë të mërkurë, dha detaje mbi paketën që prek më shumë se 100 nene të Kodit dhe që është hartuar me përfshirjen e ekspertëve të fushës nga Italia dhe Franca. Ndryshimet synojnë të rregullojnë një sërë raportesh mes prokurorisë, mbrojtjes, gjykatës dhe personave të përfshirë në një procedim penal.

Një prej ndryshimeve kryesore lidhet me raportin mes akuzës dhe mbrojtjes. Sipas asaj që u prezantua, avokati duhet të ketë mundësi të kryejë veprimet e veta, të kërkojë dokumente, të zhvillojë verifikime dhe të angazhojë ekspertë, ndërsa materialet e mbrojtjes duhet të trajtohen përpara gjykatës në të njëjtën mënyrë si ato të prokurorisë.

“Materialet e avokatit do t’i paraqiten gjyqtarit njëjtë si ato të prokurorisë. Po ashtu do të marrë pa pagesë materialet. Prokurori i një shteti demokratik ka për mision të zbulojë të vërtetën, jo vetëm të gjejë fajtor”,-theksoi kryeministri.

Një tjetër ndryshim prek drejtpërdrejt personat që thirren në polici apo prokurori. Pavarësisht cilësisë në të cilën thirren, në dokumentin e thirrjes duhet të përcaktohet edhe e drejta e tyre për t’u paraqitur me avokat.

Paketa parashikon gjithashtu që marrja në pyetje dhe veprimet kryesore hetimore të dokumentohen me zë dhe figurë. Në këtë kuadër, përcaktohet shprehimisht edhe papërdorshmëria e deklarimeve të marra nën torturë apo trajtim çnjerëzor.

Një nga pikat më të rëndësishme lidhet me sekuestrimin dhe kontrollin e telefonave celularë dhe pajisjeve të tjera elektronike. Sekuestrimi i një telefoni nuk do të nënkuptojë automatikisht të drejtën e organeve hetimore për të kontrolluar pa kufizim të gjithë përmbajtjen e tij.

“Telefoni mund të sekuestrohet, por për ta hapur duhet vendim i gjykatës, ku do të përcaktohen aplikacionet që do të hapen, kategoria e të dhënave. Çdo e dhënë e marrë përtej autorizimit nuk është e vlefshme. E njëjta edhe për përgjimet. Duhet të transkriptohen vetëm ato që janë me vlerë për hetimin”,-tha Rama.

Pra, sipas paketës së prezantuar, gjykata duhet të përcaktojë kufijtë e kontrollit të pajisjes, përfshirë kategoritë e të dhënave dhe aplikacionet që mund të verifikohen. Informacionet e marra jashtë autorizimit nuk mund të përdoren, ndërsa materialet që nuk kanë lidhje me objektin e hetimit duhet të trajtohen sipas kufizimeve të përcaktuara në procedurë. I njëjti parim parashikohet edhe për përgjimet, ku duhet të përdoren dhe transkriptohen vetëm komunikimet me rëndësi për hetimin.

Paketa ndërhyn edhe në mënyrën e regjistrimit të procedimeve penale. Procedimi duhet të regjistrohet në momentin kur prokurori merr dijeni për veprën penale dhe jo në një moment të mëvonshëm të zgjedhur prej tij. Synimi është që hetimet e fshehta ose çështjet e mbajtura për periudha të gjata pa një status të qartë të mos kthehen në praktikë rutinë.

Në të njëjtën kohë, prokurori duhet të vlerësojë provat dhe perspektivën reale të një çështjeje përpara se ajo të dërgohet për gjykim.

Ndryshimi tjetër lidhet me prezumimin e pafajësisë, i cili synohet të mos mbetet vetëm një standard brenda sallës së gjyqit, por të shtrihet edhe në mënyrën se si institucionet dhe personat e përfshirë në procedim komunikojnë dhe veprojnë jashtë saj.

Në këtë kuadër, prokurorët, oficerët dhe avokatët që kanë detyrimin për të ruajtur sekretin hetimor dhe të dhënat e procedimit do të duhet të mbajnë përgjegjësi në rast të shkeljes së këtij detyrimi.

Paketa e re sjell kështu ndryshime që prekin disa prej fazave më të ndjeshme të procedimit penal: nga momenti kur regjistrohet një hetim, te mënyra e marrjes në pyetje, roli i avokatit, kontrolli i telefonave dhe përgjimet, deri te përdorimi i provave dhe respektimi i prezumimit të pafajësisë.