SPAK dhe Byroja Kombëtare e Hetimit kanë zgjeruar hetimet për koncesionet në fushën e shëndetësisë, duke vendosur në qendër të verifikimeve biznesmenin Klodjan Allajbeu. Hetimi lidhet me Koncesionin e Laboratorëve në Shëndetësi, me vlerë mbi 100 milionë euro. Në kuadër të procedurës janë sekuestruar dokumente, telefona celularë, kompjuterë dhe materiale të tjera që konsiderohen me interes për hetimin.
Përveç kontrolleve të ushtruara në ambientet e shoqërisë “Evita” sh.p.k., kompani në pronësi të Allajbeut dhe e lidhur me Spitalin Amerikan, strukturat hetimore kanë zhvilluar veprime edhe në kompleksin “Equos Resort” si dhe në kompaninë “Pegasus” të biznesmenit Janis Karathanos. Pegasus është shoqëria mëmë e AB Laboratory Solution BV. Si Labopharma ashtu edhe Pegasus kanë paraqitur kërkesa të posaçme në Gjykata e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar për kthimin e sendeve të sekuestruara.
Sipas raportimit të Weblajm, pas sekuestrimeve shoqëritë tregtare i janë drejtuar gjykatës me kërkesë për kthimin e materialeve të bllokuara. Gjyqtarja Elsa Ulliri pritet të shprehet me vendim lidhur me këto kërkesa penale.
Në dokumentet e siguruara nga media, prokurorja Dorina Bejko ka urdhëruar gjithashtu kontrolle personale për tre persona të tjerë: Osvelda Qafa, Shefe e Operacioneve Financiare në Spitalin Amerikan, si dhe bashkëshortët Onejda Ymeraj dhe Arbër Teqja. Ymeraj rezulton një nga drejtueset kryesore të Spitalit Amerikan që prej vitit 2014, ndërsa Teqja ka qenë më herët pronar me 70 për qind të aksioneve të kompanisë “Eco Riciklim”. Kjo shoqëri më pas është blerë nga ANAMARK, kompani që sipas të dhënave rezulton në pronësi 100 për qind të Klodjan Allajbeut. Qafa, Ymeraj dhe Teqja kanë paraqitur në GJKKO kërkesa për kthimin e telefonave celularë të sekuestruar.
Veprime sekuestruese janë kryer edhe pranë kompanive koncesionare dhe subjekteve të tjera të dyshuara si të lidhura me hetimin, përfshirë Spitalin Amerikan, spitalin “Evita” si dhe rrjetin e laboratorëve “Cambridge”.
Shoqëria “Evita” sh.p.k., në pronësi të Klodjan Allajbeut, ushtron aktivitet në sektorin e farmaceutikës dhe furnizimit me pajisje mjekësore. Hetimet vijojnë.







