Hapa të dyshimtë në Kinë dhe 214 milionë euro në koncesione. Takime me persona nën përgjim dhe tendera të dyshimtë në shëndetësi. Dy figura të ndryshme, i njëjti institucion, e njëjta ditë. SPAK-u bëri lëvizjen e radhës duke thirrur në të njëjtën ditë dy personazhe të rëndësishme të politikës dhe biznesit shqiptar – Klodian Allajbeun dhe Tom Doshin.
Njëri përballë dyshimeve për koncesionet multimilionëshe, tjetri i shpallur “non grata” nga SHBA-të. Por përtej fasadës, pyetja mbetet: A është SPAK-u gati për “peshqit e mëdhenj”?
Klodian Allajbeu, pronari i Spitalit Amerikan, u thirr paraditen e djeshme për rreth dy orë në SPAK. Shefi i perandorisë së bardhë të shëndetësisë private në Shqipëri, ka në duart e tij dy nga koncesionet më fitimprurëse – atë të laboratorëve me vlerë 130 milionë euro dhe të dializës me 84 milionë euro.
Dhe nuk janë pak. Ky biznesmen që shoqëron kryebashkiakun Veliaj në Kinë, deri dje dukej i paprekshëm, madje edhe pas shfaqjes së emrit të tij në dosjen e kreut të Bashkisë Tiranë.
Ndërsa Kosova ngriti aktakuzë ndaj Allajbeut për pastrim parash, Shqipëria ka heshtur përballë “imperatorit të bardhë” që ka ndërtuar një sistem ku çdo pikë gjaku që kalon nëpër tubat e dializës përkthehet në euro për llogaritë bankare. Tetëdhjetë e katër milionë euro gjak i shitur!
Koncesionet e Allajbeut janë jetë njerëzish. Në Onkologjik, 43 medikamente “mungojnë” prej vitesh, por rishfaqen si me magji në klinikat private. Një model i projektuar me kujdes – varfërimi i shëndetësisë publike drejton qytetarët drejt klinikave private.
Një labirint kompanish fantazmë që shtrihet nga Tirana në Amsterdam e përfundon në Londër është bërthama e kësaj perandorie. Raportet tregojnë se prapa “Diavita-s”, kompanisë guackë me dy fytyra (Evita ShPK me 85% dhe Spitali Amerikan me 15%), qëndron Allajbeu, i cili e shiti për tre milionë euro tek suedezët e Diaverum në 2019. Dy vite më vonë, kur gjurmët duheshin fshirë përfundimisht, e transferoi tek një fond i Emirateve.
Por SPAK, duket se e ka kuptuar skemën. Një mozaik i tërë tradhtie dhe korrupsioni ndodhet në duart e prokurorëve. Çdo emër në listën e turpit është një gozhdë në arkivolin e shëndetësisë shqiptare: Manastirliu që lejoi koncesionin të veprojë si bandë grabitësish, Erion Manohasa, Alketa Hila dhe Anila Denaj që firmosën çeqe pa fund pa pyetur për pacientët, dhe “maskat” e Allajbeut – Rasim Hamzaraj, Jani Karathano, Sokol Ramizi.
Ndërkohë, Tom Doshi, kryetari i Partisë Socialdemokrate, u paraqit gjithashtu dje në SPAK. I qeshur, i relaksuar dhe krejtësisht i pashqetësuar – Doshi na kujtoi “kolegët” e tij të thirrur më parë për afera të rënda, që gjithashtu dolën “të lumtur nga SPAK”.
Janë të shumtë ata që dalin me buzëqeshje nga dyert e drejtësisë, sikur po marrin pjesë në një takim të zakonshëm, jo në një hetim serioz. Të gjithë me shpresën se po ia hedhin, të gjithë me besimin se SPAK-u do të mjaftohet me deklaratat e tyre sipërfaqësore. Buzëqeshja e tyre duket si një mesazh i koduar: ‘Nuk kemi frikë, jemi ende të paprekshëm’. E duket se dy shënjestrat e para u piketuan nga SPAK, por për të tjerët ka ende punë.
Me gjasa SPAK ka nisur një hetim të thelluar për Tom Doshin, duke marrë si indicie dosjen amerikane të shpalljes “non grata”, dokumentet konfidenciale të inteligjencës nga Australia që e konsiderojnë atë si kreu i një grupi të organizuar kriminal ndërkombëtar, dhe raportet e shërbimeve të ndryshme.
Një skuadër e Byrosë Kombëtare të Hetimit ka zhvilluar kontrolle në zyrat dhe bizneset e Tom Doshit, duke sekuestruar dokumente, telefona dhe kompjutera. Krahas Shkodrës, kthyer prej vitesh në “çiflig” të Doshit, ky i fundit ka “zonë të lirë ekonomike” Ministrinë e Shëndetësisë dhe degët e saj, ku administrata publike punon për të kanalizuar paratë tek kompanitë e tij.
Mbi 2,400 tendera me pazar në tavolinë, Tom Doshi ka marrë vetëm me anë të kompanisë Aldosch-Farma. Ka pasur raste që kjo kompani ka marrë 50 tendera brenda një dite. Formalisht në emër të Aqif Hoxha, paratë përfundojnë tek Doshi.
Në listën e rimbursimit të ilaçeve për vitin 2023, qeveria ka futur 143 lloje medikamentesh të prodhuara nga punishtja e Tom Doshit, Profarma. Medikamente që, sipas informacioneve, Agjencia Europiane e Siguri-Cilësisë së Barnave i ka cilësuar jashtë standardi dhe me rrezik për shëndetin.
I vendosur më herët në listën e zezë të SHBA-ve për “përfshirje në korrupsion të përmasave të gjera”, Tom Doshi shpall hapur se do të kandidojë në zgjedhjet e 11 majit si deputet në Shkodër. Ku është parë ky paradoks?
Por, ndërsa figurave si Allajbeu dhe Doshi u kërkohet llogari, oligarkët e tjerë si Samir Mane dhe Shefqet Kastrati mbeten të paprekur. Kështu, SPAK lë jashtë radari të tjera figura të fuqishme të ekonomisë shqiptare, të lidhur ngushtë me qeverinë dhe të zhytur deri në fyt në afera korruptive.
A po godet SPAK disa “kokë turku” për të ruajtur të paprekshëm ata që janë vërtet të fuqishëm? Mos është kjo një lojë për të krijuar iluzionin e drejtësisë ndërsa biznesi i vërtetë i korrupsionit vazhdon të lulëzojë?
Rruga e SPAK-ut është ende e gjatë. Shumë e gjatë…
/gazetareforma.com