Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka vendosur sekuestrimin e një pasurie të paluajtshme që dyshohet se është në pronësi indirekte të ish-zëvendëskryeministres Belinda Balluku.
Sipas informacionit të bërë publik, pasuria e vendosur nën sekuestro ndodhet brenda një resorti turistik në zonën e Dhërmiut, në Himarë.
Ndërkohë, SPAK ka bërë me dije se ndaj Ballukut janë shtuar edhe akuza të reja. Përveç hetimeve ekzistuese, ajo tashmë po hetohet edhe për veprat penale të “Korrupsionit pasiv” si dhe “Pastrimit të produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”.
Hetimet lidhur me çështjen vijojnë, ndërsa Prokuroria e Posaçme nuk ka dhënë ende detaje të tjera mbi vlerën e pasurisë së sekuestruar apo rrethanat konkrete që kanë çuar në marrjen e kësaj mase pasurore.







