Skip to content
Kryesore

SPAK operacion në Tiranë, ndalohet një avokat, çfarë akuzohet?

· 1 min lexim

SPAK ka zbardhur detaje nga operacioni që çoi në ndalimin e avokatit Bardh Koçi, ndaj të cilit Gjykata e Posaçme ka caktuar masën e sigurisë “arrest në shtëpi”.

Hetimet u zhvilluan mbi dyshimet për ndërhyrje në një çështje që po shqyrtohej nga Prokuroria e Tiranës.

Përveç avokatit Koçi, në këtë operacion u përfshi edhe një grua, ndaj së cilës është vendosur masa “detyrim paraqitje”. Të dy dyshohen për veprën penale “ndikim i paligjshëm në sistemin e drejtësisë”.

Gjatë hetimeve, SPAK ka urdhëruar pesë kontrolle banesash, dy prej të cilave i përkasin një punonjësi të OPGJ në Prokurorinë e Tiranës dhe një tjetër punonjësi të laboratorit të Policisë Kriminale.

Agjentët e BKH-së kanë sekuestruar telefonat e këtyre punonjësve për të zbuluar më shumë prova mbi ndërhyrjen e dyshuar.

Në kohën kur dyshohet se është kryer vepra penale, avokati Koçi ishte i punësuar pranë Kontrollit të Lartë të Shtetit.

Dyshohet se ai, në bashkëpunim me funksionarë të tjerë të policisë dhe drejtësisë, ka tentuar të ndikojë në lehtësimin e pozitës penale të një personi në hetim.