SPAK kërkon 2 vite burg për Benet Becin, tenderi 70 milionë lekë kur drejtonte KESH, që e çoi në gjyq

Prokuroria e Posaçme (SPAK) ka kërkuar dënimin me dy vite burg për kryebashkiakun e Shkodrës, Benet Beci, i akuzuar për shkelje të barazisë në tendera gjatë periudhës kur drejtonte Korporatën Elektroenergjetike Shqiptare (KESH).
Pretenca lidhet me tenderin e vitit 2019, me fond limit 69.5 milionë lekë, për projektin “Zhvillimi Strategjik i Sektorit Energjitik”. Sipas SPAK, procedura u manipulua për të favorizuar kompaninë “Consulting & Management Albania”, përmes paracaktimit të fituesit, përshtatjes së kritereve dhe mënyrës së vlerësimit të ofertave.
Hetimet zbuluan edhe komunikime në telefonin e ish-drejtorit të ARRSH-së, Evis Berberi, ku përfshiheshin bashkëshortja e tij, Adela Ruko, ish-përgjegjëse e prokurimeve në KESH, dhe biznesmeni Dritan Dakoli, aksioner i kompanisë “Euronet”, e cila kishte paraqitur një nga ofertat për përllogaritjen e fondit limit.
SPAK e dërgoi çështjen për gjykim më 8 janar 2026. Krahas Becit, të pandehur janë Adela Ruko, Edlira Mitrushi, Jonid Kazani, Yllka Nishku, Rudin Gjoni dhe Premtim Dauti. Më 20 korrik, GJKKO pranoi gjykimin e shkurtuar për Becin dhe pesë të pandehur të tjerë, ndërsa dosja e Dautit u veçua.
Nga KESH-i te FSHZH-ja dhe Bashkia e Shkodrës, historiku i shkeljeve dhe denoncimeve
Dosja e KESH-it nuk është rasti i vetëm që ngre pikëpyetje për administrimin e fondeve publike në institucionet e drejtuara nga Beci.
Në Fondin Shqiptar të Zhvillimit, Kontrolli i Lartë i Shtetit konstatoi shkelje në tendera dhe dëm ekonomik. Auditimi i vitit 2014 evidentoi përdorimin e standardeve të ndryshme për përcaktimin e çmimeve, probleme në shqyrtimin e ofertave dhe pagesa për punime të pakryera në pesë kontrata ujësjellësish, me dëm ekonomik prej 24,069 eurosh. Raporti iu drejtua Becit si drejtor ekzekutiv i FSHZH-së.
Në Bashkinë e Shkodrës, Gazeta Reforma ka denoncuar tenderin për ushqimin e fëmijëve në çerdhe, kopshte dhe qendra sociale, ku kompania SEAD-SGS fitoi me ofertë 22.26 milionë lekë pa TVSH, ose 99.6% të fondit limit, megjithëse një konkurrent kishte ofruar rreth 3.5 milionë lekë më pak. Një procedurë tjetër për ushqimet, me vlerë 177 milionë lekë të vjetra, u kundërshtua në Komisionin e Prokurimit Publik nga kompania EL-GJO-2006, e cila pretendoi skualifikim të paligjshëm.
Pikëpyetje janë ngritur edhe për rrugën Shirokë–Zogaj. Fatjon Mani, kryetar i FRPD-së Shkodër, denoncoi anulimin e një tenderi fillestar prej 2.7 milionë eurosh dhe rritjen e vlerës në 4.7 milionë euro. Projekti tejkaloi afatin e përfundimit, 2 tetor 2025. Sipas verifikimit të Faktoje më 5 nëntor 2026, punimet kanë përfunduar, por rruga ende nuk është dorëzuar zyrtarisht.
Një tjetër tender i Bashkisë së Shkodrës, për mirëmbajtjen e sipërfaqeve të gjelbra dhe ujore, u denoncua nga përfaqësuesja e PD-së, Elida Lici, e cila ngriti akuza për favorizim dhe kërkoi hetim nga prokuroria.
Dyshime për konflikt interesi janë ngritur edhe për lidhjen mes familjes Beci dhe kompanisë ABKONS. Sipas një investigimi të Ora News, djali i kryebashkiakut, Edon Beci, u punësua në vitin 2019 në kompaninë e Besnik Leskajt, ndërsa në vitin 2020 Benet Beci firmosi një tender për të njëjtën kompani. Raportimi ngre pikëpyetje për marrëdhënien mes punësimit familjar dhe përfitimit të kontratave publike.
Në të njëjtin investigim janë trajtuar edhe pasuritë dhe aktivitetet ekonomike të familjes Beci, përfshirë bizneset e bashkëshortes Fitore Beci, aktivitetin e të birit në Vuno dhe të ardhurat e deklaruara nga konsulenca e pasuritë e paluajtshme. Mbetet për t’u sqaruar nëse ekzistojnë konflikte interesi apo mospërputhje në deklarimet pasurore.
Në Theth, pronarët e bujtinave denoncuan pagesa të pretenduara ndaj strukturave vendore, ndërsa ndërhyrjet ndaj ndërtimeve ngritën pyetje për përgjegjësinë e administratës së Becit. Në shkollën “Ndre Mjeda”, fotografitë e publikuara nga vetë kryebashkiaku ekspozuan tualete pa dyer, duke nxjerrë në pah kushtet e papërshtatshme për nxënësit.
Nga shkeljet e konstatuara nga KLSH-ja në FSHZH, te tenderët e kontestuar në Shkodër dhe dyshimet për konflikt interesi, historiku i institucioneve të drejtuara nga Beci përmban çështje që kërkojnë transparencë dhe përgjegjësi.
Ndërkohë, për tenderin e KESH-it, SPAK ka kërkuar dy vite burg. Tashmë i takon Gjykatës së Posaçme të vendosë mbi akuzën ndaj kryebashkiakut të Shkodrës.