Skip to content
Kryesore

Vrasjet e Klodjan Saliut dhe Vajdin Lames në 2005, SPAK kërkon nga 25 vite burg për Shullazin, Berishën dhe Ymerin

· 3 min lexim

Prokuroria e Posaçme (SPAK) ka dhënë pretencën për Emiljano Shullazin, Lulzim Berishën dhe Viktor Ymerin, duke kërkuar nga 25 vite burg për secilin, lidhur me vrasjet e Klodjan Saliut dhe Vajdin Lames, të ndodhura në shkurt të vitit 2005.

Tre të pandehurit akuzohen për përfshirje në dy ngjarje të rënda kriminale, të cilat mbetën për vite me radhë pa autorë të zbuluar.

Vrasja e parë ndodhi më 26 shkurt 2005, rreth orës 22:00, në autostradën Durrës–Tiranë, pranë fshatit Koxhaj. Klodjan Saliu u qëllua për vdekje me armë zjarri teksa udhëtonte me automjetin e tij tip “Mercedes-Benz”. Nga të shtënat mbeti i plagosur edhe O. Truma, i cili ndodhej në makinë me viktimën.

Vetëm një ditë më pas, më 27 shkurt 2005, rreth orës 23:50, një shpërthim me lëndë plasëse në një pallat në rrugën “Dervish Hima” në Tiranë shkaktoi vdekjen e Vajdin Lames dhe A. Arsit.

Hetimet për të dyja vrasjet ishin pezulluar për shkak të mosidentifikimit të autorëve. SPAK i rihapi procedimet, i bashkoi në një dosje të vetme dhe, pas administrimit të provave të reja, kërkoi masa sigurie për gjashtë persona të dyshuar.

Akuzat përfshijnë vrasjen me paramendim, vrasjen në rrethana të tjera cilësuese ndaj dy ose më shumë personave, mbajtjen pa leje të armëve luftarake me pasoja të rënda dhe veprimtarinë në kuadër të grupit të strukturuar kriminal.

Të tre të pandehurit kanë pasur më herët përballje me drejtësinë për çështje të rënda penale.

Emiljano Shullazi është hetuar dhe akuzuar ndër vite për një sërë veprash penale, përfshirë gjobëvënien, kanosjen, trafikun e drogës dhe veprimtarinë e grupeve kriminale.

Viktor Ymeri është lidhur me ngjarje kriminale në Vlorë dhe me Gazmend Brakën, i njohur si Gaxhai. Në të kaluarën, Ymeri ishte dënuar me burgim të përjetshëm për vrasjen e Arben Pajës dhe Ilir Xhungës në qershor 1999, dënim që më pas iu rrëzua.

Ndërkohë, Lulzim Berisha, i njohur si ish-kreu i Bandës së Durrësit, u arrestua në prill 2006 për një sërë akuzash. Në vitin 2012 u dënua me burgim të përjetshëm për gjashtë vrasje, por Gjykata e Lartë ia ndryshoi dënimin në 25 vite burg në vitin 2014.

Berisha u lirua me kusht në dhjetor 2016, pas 10 vitesh e tetë muajsh në burg, ndërsa në maj 2022 Gjykata Kushtetuese vendosi rikthimin e tij në burg.

Pretenca e SPAK për vrasjet e vitit 2005 shënon një fazë të rëndësishme të procesit gjyqësor, por kërkesa për 25 vite burg nuk përbën ende vendim dënimi. Vendimi përfundimtar i takon Gjykatës së Posaçme.