Skip to content
Kryesore

SPAK zgjeron hetimet ndaj Vlora Hysenit, dyshime për korrupsion e pastrim parash

· 2 min lexim

Hetimet për ish-drejtoreshën e Shërbimit Informativ Shtetëror, Vlora Hyseni, marrin një tjetër drejtim. SPAK po heton edhe dyshimet për korrupsion dhe pastrim parash, në kuadër të dosjes së AKSHI-t, ku në qendër është biznesmeni Ergys Agasi. Prokuroria po verifikon nëse paratë e dyshuara si përfitime të paligjshme nga tenderët publikë kanë përfunduar te familjarët e ish-kreut të shërbimit sekret.

Deri më tani, Hyseni hetohej për përkrahje të autorit të krimit dhe zbulim të të dhënave sekrete, pasi dyshohet se i ka siguruar Agasit informacione konfidenciale shtetërore gjatë kohës që ai ndodhej në arrati.

Pista e re hetimore ngre dyshimin nëse këto informacione janë shkëmbyer me përfitime financiare.

Në dokumentet e sekuestruara në kompaninë EA Tobacco, në pronësi të Ergys Agasit, është gjetur një shënim për rreth 119 milionë lekë, shumë që përputhet me një faturë të lëshuar nga Enklo Construction për Sinteza Co, me përshkrimin “Instalim/Konfigurim”. Sipas hetimeve, kompania që lëshoi faturën nuk ushtronte aktivitet në teknologjinë e informacionit dhe dyshohet se shërbimet nuk janë kryer.

Paratë kaluan më pas përmes kompanive të tjera, përfshirë Fortis Beton, nga llogaritë e së cilës u kryen transferta drejt Gjermanisë.

Siç u raportua një ditë më parë, në mars 2024, Fortis Beton transferoi dy shuma nga 250 mijë euro drejt kompanisë gjermane Wilhelm & Co Planungsgesellschaft, ku punonte një prej vëllezërve të Hysenit. Pagesat u justifikuan me projektimin e një kompleksi banimi dhe tregtar në Tiranë, i cili nuk u ndërtua.

SPAK po verifikon edhe një transfertë tjetër prej 450 mijë eurosh drejt kompanisë gjermane Erd & Tiefbau Dingler GmbH, e cila u anulua më 27 shkurt 2024. Përfaqësues i kësaj kompanie rezulton Izet Dingler, vëllai i Vlora Hysenit, i cili më parë mbante mbiemrin Hyseni.

Për të zbardhur lëvizjen dhe destinacionin e parave, SPAK ka dërguar letërporosi në Kosovë dhe Gjermani.

Ndërkohë, më 4 nëntor, Gjykata e Posaçme e Apelit la në fuqi masën e arrestit në shtëpi dhe pezullimin nga funksionet publike për Hysenin, e cila i ka mohuar akuzat.

Nga dyshimet për nxjerrjen e sekreteve shtetërore te gjurmimi i parave të AKSHI-t, hetimi tashmë kërkon të zbardhë nëse fondet publike janë përdorur për të siguruar informacione nga drejtuesja e shërbimit sekret.