Skip to content
Aktualitet

SPAK jep pretencën për ish-kryeprokurorin, ja sa vite burg kërkohet për Adriatik Llallën

· 2 min lexim

SPAK ka dhënë sot pretencën për ish-kryeprokurorin Adriatik Lalla. Mësohet se Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar kërkon dy vite burg dhe përjashtimin për pesë vite nga të gjitha shërbimet publike.

Llalla duke qenë se përfiton nga gjykimi i shkurtuar, i zbritet 1/3 e dënimit, duke i mbetur 1.4 vite burg dhe 5 vitet e përjashtimit si dënim plotësues.

Në seancën e sotme, ish-prokurori Adriatik  Lllalla nuk ka qenë i pranishëm, por është përfaqësuar nga avokati i tij, Sokol Hazizaj. Ndërkohë, seanca e radhës është caktuar të mbahet muajin tjetër më 2 prill.

Kujtojmë se ish-prokurori akuzohet për fshehje dhe deklarim të rremë të pasurisë.  Hetimi ndaj tij nisi në 15 mars të vitit 2018 në Prokurorinë e Durrësit, por më pas u kalua për kompetencë tek ish-Krimet e Rënda.

Ai u dyshua për katër vepra penale, mes të cilave edhe “pastrim i parave” dhe “shpërdorim i detyrës”, por në përfundim të hetimit SPAK vlerësoi se ndaj tij provohej vetëm akuza e “mosdeklarimit të pasurisë”.

Pasi përfundoi mandatin e kryeprokurorit, Adriatik Llalla dha dorëheqjen nga sistemi dhe nuk iu nënshtrua vetingut. Ndërsa Departamenti Amerikan i Shtetit e shpalli atë “non grata“, duke i ndaluar atij dhe familjes hyrjen në Shtete e Bashkuara të Amerikës.