SPAK, në bashkëpunim me Policinë e Shtetit, ka zhvilluar një operacion të gjerë kundër një grupi kriminal të dyshuar për trafik të lëndëve narkotike dhe pastrim të sasive të mëdha parash.
Në kuadër të operacionit janë lëshuar 20 masa sigurie. Në pranga ka rënë Orest Sota, ndërsa për biznesmenët Artur Shehu dhe Ilir Shtufi është caktuar masa e sigurisë “arrest me burg”. Të dy ndodhen jashtë territorit të Shqipërisë.
Sipas hetimeve paraprake, Shehu dhe Shtufi dyshohen se kanë pastruar paratë e një grupi trafikantësh droge përmes aktiviteteve të tyre ekonomike, kryesisht në sektorin e ndërtimit.
Artur Shehu njihet si pronari i pjesës më të madhe të tokës në Zvërnec, zonë ku është planifikuar ndërtimi i një resorti luksoz. Ndërkohë, Ilir Shtufi është një nga emrat më të njohur në fushën e ndërtimit, i lidhur me realizimin e disa projekteve të mëdha në Tiranë. Mediat kanë raportuar më herët edhe për lidhjet e tij me Shkëlzen Berishën, djalin e ish-kryeministrit Sali Berisha.
Mes personave të përfshirë në dosje është edhe Orest Sota, i njohur për arrestimin e tij më 1 nëntor 2017, kur u kap duke transportuar 863 mijë euro në automjet. Në prill të këtij viti, ai u paraqit në SPAK, ku qëndroi për rreth pesë orë duke dhënë shpjegime lidhur me hetimet që po zhvillohen për AKSHI-n dhe njohjet e tij me biznesmenin Ergys Agasi.
Në kërkim është shpallur edhe Orges Birçaj, i dyshuar për pastrim parash dhe pjesëmarrje në grup të strukturuar kriminal. Ndërsa Edmond Jaupaj është vendosur nën masën e sigurisë “arrest në shtëpi”.
Operacioni vijon ende, ndërsa kontrollet po ushtrohen në disa zona të Tiranës dhe Vlorës. Sipas dyshimeve të hetuesve, drejtuesit kryesorë të grupit kriminal ndodhen në Dubai, megjithatë deri tani nuk ka informacion zyrtar nëse ndaj tyre janë vendosur masa sigurie.
Personat për të cilët janë lëshuar masa sigurie janë:
• Abedin Koçeku
• Luçiano alias Tur Koçeku
• Orest Sota
• Artur Shehu
• Ilir Shtufi
• Edmond Jaupaj
• Orges Birçaj
• Baftri Troci
• Gëzim Islami
• Dritan Aga







