Nëse tregu do të funksiononte normalisht, sot një litër nafte në Shqipëri nuk do të kushtonte më shumë se 156–160 lekë. Ky është çmimi i drejtë, i llogaritur me të dhëna të thjeshta e të verifikueshme:
Në bursën ndërkombëtare, gasoil i përpunuar (jo nafta bruto) kuotohet sot rreth 652 dollarë për ton. Me densitet mesatar, një ton naftë e përpunuar përkthehet në rreth 1190 litra. Pra, vetëm kostoja bazë e importit është rreth 0.55 dollarë për litër. Me kursin aktual të këmbimit, 1 USD = 83 lekë, kjo do të thotë afërsisht 46 lekë për litër.
Kësaj i shtohen kostot e transportit dhe logjistikës (rreth 8 lekë gjithsej), si dhe marzhi i tregtarëve (8 lekë të tjera). Por pjesa më e madhe e çmimit vjen nga taksat e fiksuara nga shteti: 37 lekë akcizë, 27 lekë taksë qarkullimi, 3 lekë taksë karboni, plus 4.6 lekë tarifa koncesionare për markim e skanim. Pra, vetëm nga shteti mbi litër rëndojnë rreth 72 lekë.
Duke i mbledhur të gjitha, çmimi para TVSH-së arrin në rreth 133 lekë. Me TVSH 20% çmimi final duhet të ishte 156–160 lekë për litër.
Por në realitet, qytetarët shqiptarë paguajnë 173 lekë ose më tepër. Pra të paktën 13–17 lekë për çdo litër janë të pashpjegueshme. Janë para që nuk shkojnë as për koston reale, as për taksa, por për fitime të fryra. Fitime që shkojnë drejt oligarkëve të naftës, me bekimin e qeverisë.
Ndërkohë, rajoni paguan shumë më pak: Italia 159 lekë, Greqia 150, Serbia 163 dhe Maqedonia e Veriut vetëm 108 lekë. Shqipëria është më e shtrenjta, edhe pse është më e varfra. Një grabitje e organizuar.
E gjithë kjo tregon qartë se premtimi i Ramës në 2022 për “filtrin e transparencës” ishte një mashtrim. “Marzhi i fitimit do të ngrijë”, tha kryeministri atëherë. Në fakt, marzhi i fitimit jo vetëm që nuk ngrirë, por është fryrë më shumë se kurrë. Çmimi i vetëm që ka ngrirë është ai që paguajnë qytetarët, i palëvizshëm edhe kur bursa dhe dollari bien.
Nafta në Shqipëri është kthyer në simbolin më të pastër të një tregu të kapur nga pushteti dhe oligarkët. Një skemë që përsëritet gjithmonë njësoj: kur bursa rritet, çmimi te pompat ngjitet menjëherë; kur bursa bie, çmimi nuk lëviz. Një vjedhje e përditshme, litër pas litri, që po i varfëron shqiptarët dhe po i pasuron pak duar të lidhura ngushtë me qeverinë. Kjo skemë grabitjeje që duhet hetuar urgjentisht nga SPAK!