Deputetja Marjana Koçeku ka reaguar sërish pas thirrjeve të socialistëve që ajo të dorëzojë mandatin e deputetes, pas vendimit për t’u larguar nga Partia Socialiste dhe për të vijuar aktivitetin parlamentar si e pavarur.
Në një postim në rrjetet sociale, Koçeku iu përgjigj zërave që e akuzojnë se mandatin e ka marrë nga lista e mbyllur e PS-së, duke sfiduar hapur mazhorancën që të shpërndajë Parlamentin dhe vendi të shkojë në zgjedhje të parakohshme.
Ajo u shpreh se është e gatshme të kandidojë sërish, këtë herë në Tiranë, duke përdorur edhe ironi ndaj kritikëve të saj brenda kampit socialist.
“Nuk ua kam marrë mandatin e deputetit. Ma keni marrë ju mue, për 10 muej rresht. Tash mandati ka ardhë në vend të vet
Nëse jeni kaq të sigurt që unë nuk fitoj pa ju dhe ju i keni plot 83 mandate, atëherë shpërndajeni parlamentin, shkojmë në zgjedhje të parakohshme dhe masim forcat se kush fiton çka.
Kësaj radhe do marr me vete kecin tim të shtrenjtë, bashkë me kmesën e mprehtë, dhe do zbres me kandidue në Tiranë. Para se të vij, ndoshta iu marr leje malësorëve të mi me e folë gjuhën standarde”, shkroi Koçeku.
Reagimi i saj vjen në një moment tensionesh brenda Partisë Socialiste, pas largimit të saj nga grupi parlamentar dhe deklarimit se do të veprojë si deputete e pavarur. Koçeku duket se nuk ka ndërmend të tërhiqet, por përkundrazi po e kthen debatin për mandatin në një sfidë të drejtpërdrejtë politike ndaj socialistëve.








