Skandali në SHISH/ Makina e Hysenit dhe Agasit me targat e SPAK-ut, Rusta: Qarkullonte me fenelina nëpër Shqipëri

Një tjetër episod i rëndë del nga dosja që ka vënë në qendër ish-drejtuesen e SHISH-it, Vlora Hyseni, dhe lidhjet e saj me Ergys Agasin. Gazetari Arsen Rusta pretendon se një automjet “Skoda” në pronësi të Shërbimit Informativ të Shtetit, i përdorur nga drejtues të lartë të institucionit, qarkullonte me targat që zyrtarisht i përkisnin një prokurori të SPAK-ut.
Sipas Rustës, makina përdorej nga Vlora Hyseni, Jurgen Kole dhe persona të tjerë brenda SHISH-it. Por pretendimi bëhet edhe më i rëndë, pasi gazetari thotë se i njëjti automjet dyshohet se përdorej për lëvizjet e Ergys Agasit, në një kohë kur ky i fundit kërkohej nga drejtësia.
Pra, një makinë e SHISH-it, që sipas denoncimit përdorej nga drejtues të institucionit dhe nga Agasi, mbante një targë që rezultonte e regjistruar në emër të një prokurori të SPAK-ut.
Rusta thotë se ndërsa prokurori ndodhej në zyrë dhe automjeti i tij ishte i parkuar në ambientet e SPAK-ut, makina e SHISH-it me të njëjtën targë lëvizte në disa qytete të vendit, madje e pajisur me fenelina.
“E teksa hetimi vijonte e vijon dhe Prokurori ishte në zyrë dhe makina në parkimin e SPAK-ut, ky mjet lëvizte me fenelina nëpër Durrës, Elbasan e disa qytete të shqipërisë, e jo vetëm lëvizte por shkelte edhe rregullat e qarkullimit”, deklaron gazetari Arsen Rusta.
Nëse pretendimi konfirmohet, episodi ngre një sërë pyetjesh: kush vendosi përdorimin e targës së një prokurori të SPAK-ut, kush e autorizoi qarkullimin e automjetit me këtë identitet dhe për çfarë lloj operacionesh përdorej makina?
Rusta shkon më tej, duke pretenduar se nuk bëhej fjalë për një veprim të rastësishëm, por për një operacion të paligjshëm.
“Pra dikush disa dhe Vlora me siguri e di mirë se si guxuan apo u urdhëruan ta bënin edhe vodhjen e targave të prokurorit të Spak dhe vetë Spak-ut për ti përdorur në një operacion ilegal.”
Gazetari e lidh këtë episod me atë që e cilëson një zinxhir përgjegjësish brenda SHISH-it, duke përmendur Jurgen Kolën dhe drejtuesin aktual Elvis Lila. Sipas tij, çështja nuk duhet të kufizohet vetëm te përgjegjësia e ish-drejtoreshës Vlora Hyseni, pasi persona që kanë mbajtur poste drejtuese vijojnë ende të jenë pjesë e institucionit.
“Vetëm një episod do të mjaftonte që i gjithë zinxhiri drejtues i SHISH-it të ishte në pranga sot e më e pakta shkarkuar nga qeveria”, deklaron Rusta.
Ai i përgjigjet edhe deklaratave të kryeministrit Edi Rama për mënyrën se si është trajtuar publikisht dosja e Hysenit, duke argumentuar se çështja nuk mund të reduktohet në atë që Rama e ka cilësuar si linçim ndaj ish-drejtoreshës së SHISH-it.
“Një nga dhjetëra faqet e dosjes së aferës së SHISH-it u komentua së fundmi nga kryeministri Edi Rama, si një linçim ndaj Vlorës.
Por ama, në shumë faqe të tjera rezulton një linçim i përditshëm i vartësve të Vlorës, ndaj SPAK-ut dhe jo vetëm. E kta vartës janë sot ende drejtues në SHISH.”
Denoncimi për targat e SPAK-ut shton një tjetër element të fortë në dosjen që po nxjerr në sipërfaqe marrëdhëniet, komunikimet dhe lëvizjet e drejtuesve të SHISH-it me Ergys Agasin.
Nëse provohet se një automjet shtetëror i Shërbimit Informativ ka qarkulluar me targën e një prokurori të SPAK-ut dhe është përdorur për lëvizjet e personave nën hetim apo të kërkuar nga drejtësia, atëherë çështja nuk mbetet më vetëm te komunikimet private apo raportet mes individëve, por prek drejtpërdrejt mënyrën se si janë përdorur asetet dhe strukturat e një prej institucioneve më të rëndësishme të sigurisë së vendit.