Kompania private “Nelsa Sh.p.k”, e cila helmoi 70 fëmijë në një kopsht publik në Gramsh duke shpërndarë ushqime të kontaminuara, jo vetëm që nuk është ndëshkuar, por është shpërblyer me një tjetër kontratë shtetërore me vlerë 700 milionë lekë nga Bashkia e Tiranës. Sipas Buletinit të Prokurimeve Publike të datës 2 qershor 2025, kompania është shpallur fituese për furnizimin e kopshteve dhe çerdheve në kryeqytet, vetëm disa ditë pas ngjarjes së rëndë në Gramsh.
Ndërkohë që dhjetëra fëmijë përfunduan në spital, drejtësia mbetet e heshtur. Prokuroria e Elbasanit, që po heton ngjarjen, drejtohet nga Kreshnik Ajazi, vëllai i kryetarit të Bashkisë së Gramshit, Besjon Ajazi, i cili mbante përgjegjësi për kontrollin e ushqimit dhe higjienës në institucionin ku ndodhi helmimi. Një situatë flagrante e konfliktit të interesit, që rrëzon çdo besim te pavarësia e drejtësisë.
Nga burgu në tendera: historia e errët e “Nelsa Sh.p.k.”
Pronar i vërtetë i “Nelsa Sh.p.k” është Nexhmi Balla, një emër i njohur për afera korruptive me tenderët e ushqimeve në burgje. Pas arrestimit të tij për mashtrim dhe korrupsion, kompania u transferua në emër të vajzës së tij, Elsa Kamberi, duke ruajtur kontrollin familjar mbi biznesin. Megjithatë, kjo nuk e ka penguar që të vijojë të marrë qindra tenderë shtetërorë për furnizime në spitale, konvikte, çerdhe e kopshte, me një total prej mbi 220 kontratash.
Ngjarja e Gramshit nuk është as e para dhe, mesa duket, as e fundit. Në vend që kontrata të ndërpriten dhe përgjegjësit të ndëshkohen, institucionet shtetërore janë vënë në mbrojtje të kompanisë. Autoriteti Kombëtar i Ushqimit, në vend që të dalë garant për sigurinë e produkteve ushqimore, ka shërbyer si zëdhënës për “qetësimin e opinionit publik”. Drejtori i AKU-së, Olsi Komici, ka dhënë një deklaratë të vakët duke minimizuar rastin dhe urdhëruar mbylljen e përkohshme të kopshtit vetëm pasi çështja u bë publike në media.
AKU ka qenë në qendër të shumë skandaleve të mëparshme: mish pule me salmonelë, mish derri i kontaminuar, vezë të dyshimta, qumësht me probleme, fileto derri me baktere, akullore me përbërës kancerogjenë, pesticide të rrezikshme. Dhe në çdo rast asnjë dënim, asnjë kompani e mbyllur, asnjë zyrtar i larguar nga detyra. Mbi 69 mijë pula të ngordhura dhe qindra mijëra vezë të kontaminuara janë bllokuar vetëm këtë vit në Shqipëri, por institucionet vazhdojnë të rrinë duarkryq.
Amnistia e qeverisë: shpërblim për abuzuesit
Vetëm dy ditë para zgjedhjeve të 11 majit, qeveria miratoi një vendim për faljen e të gjitha gjobave të vendosura nga viti 2015 deri në nëntor 2024. Mes tyre përfshihen dhe shkelje të rënda në fushën e sigurisë ushqimore. Në vend që të ndëshkohen kompanitë që rrezikojnë shëndetin e qytetarëve, qeveria i amniston dhe shpërblen me kontrata të reja.
Ashtu si në shumë raste të tjera, drejtësia ka zgjedhur të heshtë. Nuk ka ndonjë hetim serioz, as ndonjë ndalim aktiviteti, ndërkohë që bëhet fjalë për një krim të organizuar kundër shëndetit publik. Fermeri prodhon, inspektori mbyll sytë, drejtori nënshkruan kontratat dhe ministri që hesht. Një zinxhir korrupsioni dhe paaftësie që i shitet opinionit publik si funksionim shteti.
Nëse ky rast alarmant kalon në heshtje si të tjerët, atëherë mesazhi është i qartë: në Shqipëri, fëmijët helmohen, por askush nuk mban përgjegjësi, duke marrë pjesë në bashkëfajësi!