Skip to content
Të Gjitha

Skandali me tenderin e “Unazës së Re”/ Jep dorëheqjen drejtori i OST-së

· 2 min lexim

Sot drejtori i Operatorit të Sistemit të Transmetimit Klodian Gradeci ka dhënë sot dorëheqjen.

Vendimi vjen pak kohë pasi OST u përfshi në skandalin e Unazës së Re, pasi kompania “DH Albania”, një kompani fantazmë, mori tenderin prej 12 milionë eurosh për një linjë energjitike, tender që më vonë u anulua.

Skandali me kompaninë “Dunwell Haberman”, nisi me shpalljen fituese për ndërtimin e një pjese të ‘Unazës së Madhe”, por aktiviteti ndërtimor i kësaj kompanie u pezullua nga Autoriteti Rrugor Shqiptar pas publikimit të dokumenteve në media.

Operatori i Sistemit të Transmetimit, sipas të dhënave të siguruara në faqen e Agjencisë së prokurimit publik,  i ka dhënë kompanisë “DH ALBANIA”, një tender me vlerë 11 milionë euro (1 miliardë e 447 milionë lekë).

Bëhet fjalë për ndërtimin e linjës 220 kilovolt Burrel-Peshkopi dhe traktin dalës të nënstacionit të Burrelit, një nga tenderat më të mëdhenj të zhvilluar nga OST gjatë këtij viti. Sipas dokumenteve të siguruara nga Agjencia e Prokurimeve Publike, tenderi është zhvilluar në nëntor dhe “Dunwell Haberman Albania” e ka fituar atë me 100 për qind të vlerës limit.

Më konkretisht, sipas dokumenteve të APP, fondi limit për ndërtimin e linjës Burrel-Peshkopi ishte përcaktuar 1 miliardë e 447 milionë lekë dhe po me këtë çmim është fituar nga “DH Albania”.