Rama kërcënon me ndëshkime protestuesit e familjarët, fyen të rinjtë: “Brez TikTok-u që nuk lidhin dot 7 fjalë bashkë”!

Në kulmin e protestave dhe përplasjeve me policinë, kryeministri Edi Rama ka ashpërsuar retorikën ndaj protestuesve, duke i cilësuar të rinjtë si një brez që jeton me TikTok dhe nuk arrin të lidhë shtatë fjalë bashkë.
Gjatë takimit me Policinë e Shtetit, ku ishte i pranishëm edhe ministri i Brendshëm Ervin Demo, Rama deklaroi se me protestuesit që përdorin dhunë nuk negociohet, ndërsa i akuzoi të rinjtë se kërkojnë përmbysje dhe shkatërrim, jo paqe.
“Valë dhune që nuk ka të bëjë me asnjë nga arsyet e një vendi demokratik për të kërkuar më shumë nga qeveria e për të pasur pakënaqësi. Erdha sërish me këtë me vete, sepse duhet ta mbash në dorë, ta peshosh, ta llogarisësh sa i shtohet pesha kur vjen në drejtimin e njerëzve nën uniformë dhe se çfarë mund të bëjë mbi këdo. Me këtë nuk negociohet. Me këdo që vë përpara këtë nuk negociohet sepse në momentin kur shteti negocion me këtë, ka rënë. Kur fiton ky atëherë logjika e këtij bëhet vetë shteti. E ka parë Shqipëria këtë film më shumë se një herë dhe pasojat e tij janë plagë që duan vite të shërohen. Të rinjtë e kësaj nuk duan paqe por përmbysje, janë të rinj të idealizuar nën frymëzimin e asaj force të errët e të re që është shfaqur në Europë, që Trump e ka shpallur organizatë terroriste. Kjo nuk do të thotë që të rinjtë që mendojnë se jeta është TikTok, dhe me TikTok dhe pa lidhur dot 7 fjalë bashkë do të bëjnë Shqipërinë. Janë pengje të një fryme dhe ideologjie të re që ka vetëm një mision: Shkatërro, rrëno gjithçka, bëje rrafsh sepse do ta nisim nga e para”, u shpreh Rama.
Ai ka paralajmëruar studentët me heqjen e bursave dhe arsimin falas, mësuesit për përjashtim nga puna shtetërore, gjobitjen e familjarëve të personave të ndaluar dhe ndjekjen nga policia të pjesëmarrësve në protesta, përfshirë ata që protestojnë paqësisht.
Po ashtu, është ngritur shqetësimi për një shpërblim prej 2,500 eurosh për punonjësit e policisë në vijën e parë, masë që është interpretuar si nxitje e përshkallëzimit të përplasjeve.
Në vend të një mesazhi qetësues për situatën e tensionuar në vend, deklaratat e kryeministrit kanë nxitur akuza për kërcënim, përçmim të të rinjve dhe thellim të konfliktit mes qeverisë dhe qytetarëve.