Skip to content
Politikë

Skandali i të dhënave/ Basha: Shteti shqiptar është shndërruar në pronë private të Ramës

· 3 min lexim

Kryedemokrati Lulzim Basha ka qenë i ftuar në emisionin “Tempora” të gazetares Sonila Meço ku ka folur për zgjedhjet e 25 prillit dhe atë që ofron Partia Demokratike. Nuk mund të kalonte pa u përmendur edhe skandale i bërë publik ditët e fundit në lidhje me të dhënat që Partia Socialiste zotëron për votuesit.

Basha tha se ky skandal tregon se shteti shqiptar nën drejtimin e Ramës është shndërruar në një pronë pribvate. Kjo është arsye, thotë Basha, se në 25 prill mbështetës të opozitës do të jenë edhe shumë socialistë.

“Skandali tregon se shteti shqiptar nën drejtimin e kryeministrit  në ikje dhe të një grupi të ngushtë njerëzish  nuk ekziston  më por është shndërruar në një pronë private. Kjo është një arsye më shumë se pse me 25 Prill përmasat e bashkimit  do të tejkalojnë ato  të mbështetësve tradicionalë të opozitës apo të Shqiptarëve që janë të etur për ndryshim,por do të përfshijnë  shumë socialistë disa prej të cilëve kanë dalë haptazi  dhe kanë deklaruar se edhe për ta  25 Prilli duhet të jetë një ditë ndryshimi për ta dhe familjet e tyre”, ka thënë Basha.

Kreu i PD përmendi edhe faktin se në të dhënat e PS ishin edhe kreu i SHISH dhe i SPAK. Basha u shpreh se kjo nuk është habi  pasi i gjithë pushteti është në dorën e një njeriu. Ai tha se ky është shembull i degradimit të shtetit shqiptar për 8 vite nën drejtimin e Ramës.

“Për mua dua të ju them që kjo nuk është një habi dhe besoj që shumica e shqiptarëve  e kanë ditur prej kohësh që kjo qeveri dhe ky kryeministër kanë thyer çdo ligj, ligjin për privatësinë e të dhënave, kushtetutën  e Shqipërisë  dhe kjo vjen kur i gjithë pushteti është në një dorë. Ky është thjesht një tjetër shembull i degradimit të shtetit shqiptar 8 vite nën drejtimin e Edi Ramës. Është po kështu një ftesë edhe për ndokënd që ka patur ndonjë stepje apo skepticizëm dhe që ka preferuar të qëndrojë në shtëpi më 25 Prill që të dalë dhe të votojë për t’i dhënë fund edhe këtij dhunimi të privatësisë, për ti dhënë fund kësaj përpjekje për ta izoluar Shqipërinë dhe për ta kthyer atë në vendin ku qeveria është gjithçka dhe qytetari është asgjë”, ka thënë Basha.