Skip to content
Të Gjitha

Skandali i Ministrisë së Brendshme, “Illyrian Guard” vendos kamerat pa u zhvilluar tenderi

· 2 min lexim

Mbivendosja e sherbimeve nuk është diçka e re për institucionet shqiptare.

Një skenë e pastër e këtij fenomeni vërehet edhe në drejtorinë e Tatimeve në Tiranë.

Bëhet fjalë për kamerat e sigurisë të vendosura nga “Ilyrian Guard”, institucion që varet nga Ministri i Brendshëm.

Më 12 dhjetor, vetëm pak ditë pasi Shqipëria ishte goditur nga tërmeti tragjik, “Illyrian Guard” shpall tenderin “Për marrjen me qira operacionale për pajisjen me sisteme alarmi dhe kamera vëzhgimi të objekteve”.

Vendosja e kamerave nga një kompani shtetërore që paguhet nga institucionet shtetërore për sigurinë e objektit nuk ka asgjë të keqe.

Mirëpo nga një vëzhgim i “Dosja.al”, rezulton se në mur ishin të vendosura kamerat e vjetra, në gjendje të mirë pune.

Drejtoria e Tatimeve e justifikoi vendosjen e kamerave me faktin se kamerat ekzistuese ruajnë punonjësit, ndërsa ato të rejat shërbejnë për kontrollin e territorit.

Kjo gjë mund të zgjidhej shumë mirë me ndryshimin e këndit të kamerave dhe mund të kurseheshin 4.5 milion euro.

Në foto duket qartë se kamerat e reja bëjnë të njëjtën punë me ato të vjetrat, duke mos justifikuar kështu vendosjen e tyre.

Parregullsia tjetër qëndron në tenderin e shpallur më 12 dhjetor, i cili zhvillohet në 24 shkurt, datë e cila nuk ka ardhur ende.

“Dosja.al” ka mësuar se kamerat janë vënë pa u zhvilluar tenderi, duke e shtuar më shumë zullumin, pasi është një mall që nuk duhet dhe i është blerë një klienti të paravendosur.

Ky nuk është rast i vetëm, pasi të gjitha institucionet që kanë instaluar kamera të “Illyrian Guard”, i kanë pasur më parë ekzistueset.