Drejtoresha e Përgjithshme e Agjencisë Kombëtare të Mjedisit, Marjeta Përlala, ka firmosur më 27 janar një urdhër për delegimin e detyrës tek Elona Uzmutlu, në një moment kur hetimet për skandalin e mbetjeve të rrezikshme të kompanisë turke KURUM kanë hyrë në një fazë kritike. Lëvizja, e bërë pa asnjë shpjegim publik, ngre dyshime serioze se lidhet drejtpërdrejt me presionin në rritje ndaj institucioneve shqiptare për rolin e tyre në lejimin, monitorimin dhe eksportimin e mbetjeve që tashmë rezultojnë toksike.
Vetëm një ditë më parë, në emisionin “Të Paekspozuarit”, gazetarja Klodiana Lala bëri publike një fakt tronditës: përgjigjja nga laboratori në Itali ka mbërritur dhe mbetjet e sekuestruara kanë rezultuar të rrezikshme. Mostrat i përkasin kontejnerëve që aktualisht ruhen në Porto Romano, ndërsa Prokuroria e Durrësit, pas një zvarritjeje të gjatë, është tashmë përballë detyrimit ligjor për të identifikuar përgjegjësit dhe për të vepruar. Sipas Lalës, çështja nuk kufizohet vetëm te 102 kontejnerët e bllokuar, por dokumentet publike tregojnë se janë eksportuar tonelata të tëra mbetje të rrezikshme në periudha të ndryshme, me përfshirjen e një rrjeti kompanish dhe me dyshime të forta për zyrtarë të lartë shtetërorë.
Ajo theksoi se përgjegjësia institucionale shtrihet përtej një subjekti të vetëm dhe përfshin Agjencinë Kombëtare të Mjedisit, Doganat, Tatimet dhe struktura të tjera që kanë dështuar në kontrollin e kodeve të mbetjeve dhe procedurave të eksportit. “Nuk është vepër e njerëzve të thjeshtë, por e një grupi të strukturuar,” deklaroi Lala, duke nënvizuar se hetimi duhet të kalojë në kompetencë të SPAK.
Kjo situatë është pasojë direkte e një bllokade institucionale që ka zgjatur me muaj. Rrjeti i Aksionit të Bazelit, Basel Action Network, ka denoncuar publikisht vonesat e pajustifikuara dhe mungesën e transparencës së Prokurorisë së Durrësit, duke e cilësuar të papranueshme për standardet europiane mënyrën si po trajtohet një çështje me rrezik të drejtpërdrejtë për shëndetin publik dhe mjedisin. Nën presionin ndërkombëtar, prokuroria reagoi duke pretenduar “hetime intensive”, por pa asnjë rezultat konkret edhe pas katër muajsh, duke u justifikuar fillimisht me mungesë ekspertize dhe më pas me mungesë infrastrukture.
Prokuroria ka refuzuar përfshirjen e ekspertëve ndërkombëtarë të Bazelit si vëzhgues në procesin e marrjes së mostrave, duke kufizuar rolin e tyre në dëshmi formale. Ky vendim ushqen dyshime të forta për përpjekje për të kontrolluar procesin dhe për të shmangur zbardhjen e plotë të përgjegjësive.
Ndërkohë, në Porto Romano qëndrojnë prej muajsh 816 tonë mbetje të rikthyera nga Tajlanda dhe 102 kontejnerë nga anija “Moliva”, pa asnjë plan konkret për trajtimin përfundimtar. Paralelisht, autoritetet italiane kanë sekuestruar 58 tonë mbetje ekotoksike gjatë operacionit “Metal Gate”, duke identifikuar nivele alarmante të zinkut, plumbit dhe bakrit, metale që shkaktojnë dëme të rënda dhe të pakthyeshme në mjedis dhe shëndetin e njeriut. Kontrasti mes reagimit të shpejtë të Italisë dhe paralizës institucionale në Shqipëri është i thellë dhe i pafalshëm.
Shqipëria po shndërrohet në një korridor tranziti për trafikun ndërkombëtar të mbetjeve toksike, për shkak të mbikëqyrjes së dobët dhe korrupsionit institucional. Delegimi i detyrës nga drejtuesja e AKM, në këtë kontekst, nuk mund të shihet si një veprim administrativ i zakonshëm, por si pjesë e një zinxhiri lëvizjesh që tentojnë të shmangin përgjegjësinë politike dhe penale.
Qytetarët presin ende përgjigje: çfarë përmbajnë realisht këto mbetje, kush e lejoi eksportin dhe rikthimin e tyre, pse analizat u vonuan me muaj dhe pse ende nuk ka asnjë të ndaluar për një skandal që rrezikon shëndetin publik dhe mjedisin? Në vend të veprimeve konkrete, institucionet kanë ofruar vetëm komunikata të vona, ndërsa helmi vazhdon të qëndrojë në Porto Romano.








