Prokuroria e Posaçme ka nisur hetimet kryesisht për situatën e krijuar në Zvërnec, ndërsa në fokus të verifikimeve janë procedurat e tjetërsimit të truallit në këtë zonë.
Sipas informacioneve, hetimet kanë nisur pas debatit të fortë publik për projektin e planifikuar në Zvërnec dhe pas tensioneve të shkaktuara nga rrethimi i zonës, si dhe dhuna ndaj një protestuesi nga rojet private të sigurisë.
Në kuadër të këtij hetimi, mësohet se janë kryer kontrolle dhe është sekuestruar dokumentacioni i procedurave administrative që lidhen me pronat dhe zhvillimin e zonës. SPAK ka konfirmuar se çështja është në hetim dhe për këtë arsye nuk ka dhënë më shumë detaje.
“Në përgjigje të pyetjes suaj, çështja është në hetim dhe nuk kemi komente”, bëri me dije zyra e shtypit pranë SPAK-ut.
Ndërkohë, kryeministri Edi Rama, gjatë mbledhjes së grupit parlamentar socialist, doli sot me një fjalim të gjatë për situatën në Zvërnec, ku në vend të një përgjigjeje të qartë për shqetësimet publike, zgjodhi të justifikojë projektin dhe të sulmojë kritikët e tij.
Rama pranoi se akti i tërheqjes zvarrë të protestuesit nga rojet private ishte i rëndë, por më pas e zhvendosi debatin drejt akuzave për manipulim publik, duke e paraqitur kundërshtimin ndaj projektit si një “kurth” kundër të ardhmes së Shqipërisë.
“Ju kam dëgjuar, ju kam lexuar dhe ju kuptoj shumë mirë! Madje ju siguroj që në vendin tuaj edhe unë po njësoj do revoltohesha dhe do rreshtohesha kundërt qeverisë dhe kundër kryeministrit, sidomos!”, u shpreh Rama.
Por më tej, kryeministri i cilësoi reagimet si rezultat të një manipulimi publik dhe tha se qytetarëve u është servirur një version i rremë për tokën, projektin dhe investitorët.
Sipas tij, projekti ka nisur si interesim nga investitorët në vitin 2023, paralelisht me interesimin për Sazanin. Rama tha se për Sazanin negociatat nuk kanë përfunduar, pasi shteti shqiptar kërkon të jetë pjesë e marrëveshjes, ndërsa për Zvërnecin pretendoi se tokat janë private dhe se qeveria nuk ka hyrë në negociatat mes pronarëve dhe investitorëve.
“Toka është e regjistruar në hipotekë prej shumë e shumë vitesh dhe negociatat me pronarët, transaksionet me pronarët janë një çështje mes palëve në të cilën ne as nuk kemi hyrë, as nuk ka qenë nevoja të hyjmë dhe as nuk kemi pasur asnjë interes të hyjmë”, deklaroi Rama.
Kryeministri tha gjithashtu se aktualisht nuk ka një projekt arkitektonik të miratuar për Zvërnecin dhe se projekti i parë është rrëzuar nga autoritetet shqiptare, pasi është kërkuar ulja e intensitetit të ndërtimeve dhe mbrojtja e lagunës.
“Në vitin 2024 nuk u miratua një projekt arkitektonik dhe nuk ka as sot që flasim ne dhe që juve jeni zemëruar, me të drejtë për çfarë keni dëgjuar, por tani më dëgjoni mua. Sot që flasim nuk ka një projekt arkitektonik të miratuar, nuk ka, nuk ekziston”, tha ai.
Rama u ndal edhe te statusi i zonës, duke thënë se Pishë Poroja nuk është zonë e mbrojtur e kategorisë së parë apo të dytë, por klasifikohet si kategori e pestë, “Peizazh i mbrojtur”. Sipas tij, kjo kategori lejon bashkëjetesën mes natyrës, turizmit dhe aktivitetit ekonomik.
“Pishë-Poroja ka qenë peizazh i mbrojtur dhe është peizazh i mbrojtur”, tha Rama, ndërsa shtoi se projekti nuk lidhet me Parkun Kombëtar të Vjosës dhe se nuk bëhet fjalë për ndërtime në Vjosë.
Në fjalimin e tij, Rama përmendi edhe investitorët e huaj, duke thënë se projekti lidhet me Jared Kushner dhe me kompani nga Katari. Ai tha se paratë janë mbikëqyrur nga Agjencia Kundër Pastrimit të Parave dhe nga partnerët ndërkombëtarë.
Kryeministri përdori edhe tone të ashpra ndaj kundërshtarëve dhe kritikëve. Ai sulmoi Fatos Lubonjën, duke thënë se analisti “jeton me makthin e mafies që kur u nda prej meje”, ndërsa përmendi edhe Sazo Gurin dhe Arlindo Dritëgjatin, duke i vendosur përballë vizionit të tij për zhvillimin e turizmit.
“Të shoh ju të shkoni pas berihasë të Fatos Lubonjës që jeton me makthin e mafies që kur u nda prej meje, unë nuk e pranoj, respekt për atë si person, për vuajtjet e tij, por mafien që ai më tregon mua, ma tregon sepse është njësoj si ata që i tregonin atij armikun e popullit, njësoj e njëjta gjë”, deklaroi Rama.
Më tej, ai shtoi:
“Është zgjedhja juaj. Ma thoni dhe unë adaptohem se unë jam këtu me votën tuaj. Thashë dhe më parë, i duroj të gjitha ato që më thonë perversët që për fat të keq, kanë rënë të jenë kundërshtarë të kësaj partie dhe të mitë personalisht, por i duroj, jo se i pranoj. Duroj dhunë mbi kockat e tim eti, duroj dhunë mbi fytyrën e gruas sime dhe të fëmijëve të mi, po sepse mendoj që jam këtu, për ju dhe me ju. Nëse dhe ju mendoni si ata, ma thoni dhe vazhdoni më këdo tjetër që ju dëshironi. Unë këtu nuk rri të vegjetoj.”
Rama e paraqiti projektin si një mundësi për ta futur Shqipërinë në “Ligën e Kampioneve” të turizmit global, duke thënë se vendi ka nevojë për turizëm të klasit të lartë dhe jo vetëm për turizëm masiv.
“Tani ne na duhet turizmi i klasit që të na sjelli shumë para, jo për mua, jo për mua, o Fatos, jo për mua se unë jam i informuar që kur kam qenë i vogël që sado të besosh në Zot dhe më ka informuar një njeri që besonte shumë në Zot që ishte gjyshja ime, “sado të besosh në Zot, mos harro që një ditë do ikësh nga kjo botë dhe atje s’ka as “cash”, as karta krediti më pas, mësova që ekzistonin, as rroba e asgjë”. Jam i informuar unë, ashtu sikundër jam informuar nga im atë që: “E vetmja gjë që vlen është çfarë lë mbrapa për kujtim”. Unë kujtim përfundimtar, turizmin e masës nuk e lë dot si pjesë të misionit tim”, tha ai.
Megjithatë, nisja e hetimeve nga SPAK e vendos tashmë çështjen e Zvërnecit në një tjetër nivel. Përtej justifikimeve të turpshme të kryeministrit dhe përpjekjes për ta kthyer debatin në përplasje mes “zhvillimit” dhe “kundërshtarëve”, Prokuroria e Posaçme po verifikon procedurat që lidhen me tjetërsimin e truallit dhe dokumentacionin administrativ të këtij projekti.
Hetimet janë në zhvillim dhe mbetet për t’u parë nëse SPAK do të zbardhë mënyrën se si janë administruar pronat dhe procedurat që kanë çuar deri te situata e sotme në Zvërnec.







