Pezullimi i vizave nga administrata Trump u justifikua me pretendimin se emigrantët “marrin asistencë sociale në nivele të papranueshme”.
Por shifra 41.3% nuk tregon sa emigrantë shqiptarë marrin ndihma.
Ajo tregon sa familje ku kryefamiljari është i lindur në Shqipëri kanë të paktën një anëtar që përfiton qoftë edhe një shërbim social, si drekë në shkollë apo sigurim shëndetësor për fëmijë (Medicaid, WIC, SNAP).
Pika kyçe: fëmijët e lindur në SHBA janë qytetarë amerikanë, edhe kur prindërit janë shqiptarë apo kosovarë. Kur një fëmijë amerikan ha drekë në shkollë ose shkon në spital, kjo nuk është ndihmë për emigrantin, por e drejtë e qytetarit amerikan fëmijë.
Megjithatë, në statistika këto përfitime numërohen si “asistencë e familjes emigrante”, edhe pse vetë prindërit nuk përfitojnë asgjë, sepse ligji amerikan ua ndalon ndihmat federale për 5 vitet e para.
Pra, shifra 41.3% nuk tregon abuzim, por faktin që brenda një familjeje me prindër shqiptarë mund të ketë disa fëmijë amerikanë, dhe për secilin fëmijë familja futet në statistikë.
Për krahasim, edhe te familjet me dy prindër amerikanë, rreth 30–35% përdorin të njëjtat programe. Pra, kjo nuk është diçka“e emigrantëve”.
Edhe zbatimi është selektiv:
Ukraina ka normë më të lartë (42.7%) por nuk është në listë,
Kina ka normë 32.9% dhe miliona emigrantë, por nuk është në listë.
Me pak fjalë: këto shifra nuk tregojnë ndihma që marrin qytetarët me origjinë nga Shqipëria apo Kosova, por përfitime që marrin fëmijë qytetarë amerikanë brenda familjeve emigrante, dhe janë përdorur për të justifikuar një vendim politik.







