Shqipëria u dogj, 3 avionë zjarrfikës mund të vinin që në maj/ Ahmetaj: Rama skualifikoi ofertën 14.4 mln €, donte kontratën për kompaninë Air Tractor

Teksa Shqipëria është përballur me zjarre të mëdha dhe mungesa në kapacitetet ajrore për shuarjen e tyre, Arben Ahmetaj hedh një akuzë të rëndë për tenderin e avionëve zjarrfikës. Sipas ish-zëvendëskryeministrit, qeverisë iu ofruan tre avionë për rreth 14.4 milionë euro, me garancinë se do të mbërrinin deri më 26 maj, në kohë për sezonin e zjarreve, por kompania që bëri ofertën u skualifikua.
Ahmetaj pretendon se pas vendimit qëndronte vullneti i Edi Ramës që kontrata të shkonte te Air Tractor, ndërsa avionët që Shqipëria mund t’i kishte pasur që në maj, sipas tij, nuk u siguruan.
Ish-zëvendëskryeministri e cilësoi çështjen drejtpërdrejt si “afera e avionëve zjarrfikës”.
“Është afera e avionëve zjarrfikës.
Afera e avionëve zjarrfikës është interesante. Ja ku e ke, është një lloj mirsadije mbrapa, që unë i kam depozituar elementët e informacionit me çka duhet.”
Sipas Ahmetajt, gara zhvillohej mes Thrush Aircraft, të cilën e lidh me EFA Holding, dhe Air Tractor.
“Gara ka qenë nëpërmjet Thrush Aircraft dhe Air Tractor. Thrush Aircraft që ka këtë emrin e EFA Holding, që është edhe Thrush, janë kompanitë e vetme të prodhimit të avionëve zjarrfikës.”
Ai deklaroi se tenderi ishte hapur për rreth 14.4 milionë euro dhe parashikonte blerjen e dy avionëve “floating”, ndërsa pretendon se kishte argumente teknike në favor të avionëve me goma.
“Dhe kanë hapur tenderin me 14.4 milionë, plus ose minus, euro, për dy avionë floating, pra me gomavarka, le ta themi. I është thënë me argumente tekniko-shkencorë që duhet të jenë me goma, po s’ka pranuar sepse kreu i organizatës e ka pasur të drejtpërdrejtë logjikën që do të shkonte te Air Tractor.”
Pikërisht këtu Ahmetaj zbuloi atë që e bën denoncimin edhe më të rëndë.
Sipas tij, EFA i ofroi qeverisë tre avionë për të njëjtën shumë prej rreth 14.4 milionë eurosh, duke garantuar se do t’i sillte në Shqipëri brenda 26 majit.
“Atëherë, EFA i ka shkruar në zyrë dhe i ka thënë: ‘Ore, me 14.4 milionë euro unë ju sjell tre avionë me goma dhe jua sjell deri më 26 maj që t’i keni për zjarret.’”
Nëse ky pretendim konfirmohet nga dokumentacioni i procedurës, Shqipëria mund të kishte pasur tre avionë zjarrfikës në dispozicion përpara nisjes së fazës më problematike të sezonit të zjarreve.
Por Ahmetaj pretendon se ndodhi e kundërta.
Sipas tij, ministri i Mbrojtjes Ermal Nufi, të cilit gjatë intervistës i referohet si “Ermal Raketa”, fillimisht e priti pozitivisht propozimin. Qëndrimi, sipas Ahmetajt, ndryshoi pasi ministri u thirr nga Rama.
“Ermal Raketa është entuziazmuar një moment. Se… Mirëpo kur është thirrur përpara komandantit, i është hequr veshi Ermal Raketës. Dhe Ermal Raketa e skualifikon EFA-n.”
Ahmetaj pretendon se qëllimi ishte që procedura të përfundonte te Air Tractor.
Akuza bëhet edhe më e rëndë për shkak të asaj që ndodhi më pas. Ndërsa alternativa që ai përmend premtonte dorëzimin e tre avionëve deri më 26 maj, ish-zëvendëskryeministri deklaroi se avionët e procedurës së zgjedhur nga qeveria ende nuk kishin mbërritur.
“Sot e kësaj dite, nuk kanë ardhur avionët. Do kishin ardhur avionët, shqiptarë të nderuar, do kishin ardhur avionët në 26 maj, do të kishin fluturuar të shuanin zjarret. Zjarret që kanë lënë kreu i organizatës, vetëm që t’i kalojnë paratë Air Tractor.”
Ahmetaj përmendi edhe ish-ministrin e Mbrojtjes Piro Vëngu, por në këtë pikë u tregua më i rezervuar, duke thënë se kishte dëgjuar se largimi i tij mund të lidhej me mosfirmosjen e procedurës.
“Është hapur tenderi, në kohën e Piro Vëngut, flitet, nuk e di, që Piro Vëngu ka ikur se nuk e firmoste dot këtë, kishte frikë. Rregull?”
Ish-zëvendëskryeministri deklaroi gjithashtu se ekzistojnë vendime të autoriteteve apo gjykatave jashtë Shqipërisë që lidhen me Air Tractor, duke përmendur Spanjën, Greqinë dhe Kilin, por theksoi se nuk po e paragjykonte kompaninë.
“Këtu, zoti Peka, që do ta lë ty, janë dhe vendimet gjyqësore apo të autoriteteve, në raport me Air Tractor që është dënuar, në Spanjë, në Greqi, nga Bordi i Auditit, në Kili, ka, vazhdon. Nuk e paragjykoj. Janë punët e tyre, po flas për Republikën e Shqipërisë dhe çfarë i bën Republikës së mjerë të Shqipërisë kreu i organizatës.”
Akuzat e Ahmetajt mbi tenderin, skualifikimin e EFA-s dhe ndërhyrjen e pretenduar të Ramës kërkojnë verifikim përmes dokumenteve të procedurës dhe ofertave të kompanive.
Por në një vend që është përballur me zjarre të rënda, denoncimi nuk mund të reduktohet në një debat teknik tenderësh. Nëse qeveria kishte në tryezë një ofertë për tre avionë zjarrfikës me rreth 14.4 milionë euro dhe me dorëzim deri më 26 maj, pse ajo ofertë u skualifikua? Kush e mori vendimin? Dhe pse Shqipëria hyri në sezonin e zjarreve pa avionët që, sipas Ahmetajt, mund t’i kishte pasur që në maj?