Shqipëria mbylli ëndrrën e saj olimpike në Lojërat Olimpike Dimërore Milano-Cortina 2026, duke përfunduar një kapitull që do të mbetet i veçantë në historinë e sporteve dimërore shqiptare. Medalja nuk erdhi, por krenaria dhe dinjiteti i përfaqësimit ishin të padiskutueshme.
Në qendër të vëmendjes ishte 19 vjeçarja Lara Colturi, talenti që mbarti shpresën për një medalje historike. Në lëshimin e parë të slalomit ajo u rendit e shtata, vetëm 1.26 sekonda larg kryesueses, duke ndezur emocionin dhe besimin se gjithçka ishte e mundur. Në lëshimin e dytë nuk arriti të përmirësonte pozicionin dhe mbeti jashtë podiumit, por performanca e saj konfirmoi se Shqipëria tashmë ka një emër që konkurron mes më të mirave në botë.
Gara u mbyll që në lëshimin e parë për Semire Dauti, e cila braktisi pas një gabimi në sektorin e dytë të pistës, si dhe për Lisa Brunga, e skualifikuar nga komisarët pavarësisht kohës 57.58 që arriti të regjistronte. Edhe Denni Xhepa, përfaqësuesi i vetëm mashkull, dha kontributin e tij në slalomin e zhvilluar më 16 shkurt, duke plotësuar kuartetin historik kuqezi në pistat e Cortinës.
Milano-Cortina 2026 shënoi pjesëmarrjen më të madhe të Shqipërisë në një Olimpiadë Dimërore. Katër atletë në një edicion të vetëm përfaqësojnë një arritje që pak vite më parë dukej e largët. Ky ishte një hap i madh për një vend që po ndërton me durim kulturën e sporteve dimërore.
Shqipëria mbetet ende në pritje të medaljes së parë olimpike dimërore. Performancat e Colturi-t gjatë sezonit, me vendin e gjashtë në slalomin gjigant në Kranjska Gora, vendin e pestë në Jasna dhe katër podiume në Kupën e Botës, kishin rritur pritshmëritë. Por Olimpiada është një skenë tjetër, ku presioni dhe niveli i konkurrencës testojnë çdo detaj.
Megjithatë, kjo ëndërr olimpike nuk mbyllet me zhgënjim, por me një ndjenjë arritjeje. Shqipëria ishte aty, mes më të mirëve të botës, me katër flamuj kuqezi që valëviteshin në Alpe. Dhe kjo, në vetvete, është një fitore që i takon çdo sportisti që dha gjithçka në pistë për të përfaqësuar vendin.








