Një shpërthim i fuqishëm në portin Shahid Rajaei, në qytetin jugor iranian të Bandar Abbasit, ka shkaktuar vdekjen e të paktën 28 personave dhe plagosjen e mbi 800 të tjerëve. Ngjarja ndodhi të shtunën dhe mendohet të jetë e lidhur me një ngarkesë përbërësish kimikë të përdorur për prodhimin e lëndës djegëse të raketave.
Autoritetet iraniane ende nuk kanë ofruar një shpjegim të qartë për shkakun e shpërthimit. Megjithatë, ekspertë të pavarur kanë vlerësuar se shpërthimi mund të jetë shkaktuar nga ruajtja e papërshtatshme e perkloratit të natriumit, një përbërës i njohur për përdorim në lëndët djegëse të raketave.
Të dielën, mediat shtetërore raportuan se situata në port është vënë nën kontroll. Porti Shahid Rajaei është më i madh në vend dhe përpunon rreth 80 për qind të trafikut detar të Iranit.
Hossein Zafari, zëdhënës i Organizatës së Iranit për Menaxhimin e Krizave, fajësoi ruajtjen e gabuar të kimikateve në kontejnerët e portit për shpërthimin. “Shkaktar i shpërthimit ishin kimikatet brenda kontejnerëve,” tha Zafari për agjencinë e lajmeve ILNA. Ai shtoi se drejtori i përgjithshëm i menaxhimit të krizave kishte paralajmëruar më herët për rrezikun gjatë inspektimeve në port.
Firma private e sigurisë, Ambrey, njoftoi se në mars, porti kishte pranuar një ngarkesë me “lëndë djegëse raketore”, e cila mendohej se do të përdorej për të rifurnizuar rezervat raketore të Iranit pas përshkallëzimit të konfliktit me Izraelin gjatë luftës në Rripin e Gazës. Hamasi, aleat i Iranit në këtë konflikt, është shpallur grup terrorist nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian.
Teherani nuk e ka konfirmuar zyrtarisht pranimin e kësaj ngarkese, por të dhënat e gjurmimit të anijeve të siguruara nga Associated Press tregojnë mjete lundruese që besohet se transportonin këtë lëndë pranë portit në muajin mars.
Ministria e Brendshme iraniane ka nisur një hetim për shpërthimin. Në të kaluarën, Irani është përballur me incidente të ngjashme vdekjeprurëse që kanë prekur infrastrukturën energjetike dhe industriale të vendit, shpesh të lidhura me shpërthime gazi dhe zjarre në rafineritë e naftës. Në shumë raste, neglizhenca është cilësuar si shkaku kryesor.
Megjithatë, autoritetet iraniane kanë akuzuar gjithashtu Izraelin për disa incidente, duke përfshirë sulme që synonin programin bërthamor të vendit. Vitin e kaluar, Izraeli goditi mbrojtjen ajrore iraniane, ndërsa në shkurt 2024, Irani akuzoi Izraelin për një sulm ndaj tubacioneve të gazit. Po ashtu, në maj 2020, një sulm i madh kibernetik ndaj portit Shahid Rajaei, i atribuar Izraelit, shkaktoi ndërprerje të rëndësishme në transport.
Porti Shahid Rajaei ndodhet rreth 1.050 kilometra në juglindje të Teheranit, në ngushticën strategjike të Hormuzit, përmes së cilës kalon rreth 20 për qind e naftës që tregtohet në botë.
Për shkak të ngjarjes, zyrtarët lokalë kanë njoftuar se të gjitha shkollat, universitetet dhe zyrat në Bandar Abbas do të qëndrojnë të mbyllura më 27 prill.